
Postuar: Shkurt 20, 2025 | 20:10
Kukësi kërkon të lerë sa më shpejt pas krahëve rezultatet negative, edhe pse është i ndërgjegjshëm që përpara nuk ka një mision të lehtë. Këtë javë, kuksianët do të presin në shtëpi skuadrën e Flamurtarit, një pretendent për ngjitjen në elitë.
Megjithatë, në Kukës nuk kanë ndërmend të hyjnë në fushë të dorëzuar pa u luajtur ende dhe janë duke bërë gati manovrat dhe strategjinë për të dalë të paktën me një pikë nga ku duel. Duke parë se çfarë ka ndodhur në ndeshjet e fundit, ku kanë dalë pa pikë, problemin e kanë parë më së shumti te golat e pësuar në pjesën e parë, madje që në minutat e para. Kjo gjë ua ka bërë më pas shumë të vështirë për të marrë pikët, edhe për shkak se kanë një grup të përbërë më së shumti me djem të rinj.
Ndaj Flamurtarit do të përpiqen pikërisht ta mbyllim pjesën e parë pa pësuar, në mënyrë që ta kalojnë presionin te kundërshtari dhe të përpiqen që të përfitojnë sa të munden nga hapësirat që mund të gjejnë. Për këtë arsye, pritet që Allamani të krijojë një “digë” në mbrojtje dhe të mbyllë sa më shumë hapësirat për vlonjatët dhe është duke dhënë direktivat e fundit në seancat stërvitore. Nga ama tjetër, pritet që blutë të mos kenë mungesa në këtë përballje, sepse nuk ka asnjë lojtar të ndëshkuar me kartonë. Edhe sa i përket dëmtimeve duket se nuk ka probleme për këtë javë.
VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL
