Krenar për Milanin, do bëjmë gjëra të mëdha


Rreth 5 milionë për ta blerë dhe 2.5 mil ionë euro rrogë deri në fund të sezonit. Shpenzimi i Milanit për Kajl Uoker përfshin edhe 4 milionë të tjera që do të jetë rroga e anglezit për sezonin e ardhshëm me debutimin që duhet të ndodhë në derbin kundër Interit më 2 shkurt. Vetëm mbrojtësi i djathtë ka dhënë ditën e djeshme një konferencë për shtyp ku u është prezantuar tifozërisë së tij të re.

Screenshot 2025-01-28 193707

Cili ka qenë perceptimi për Milanin gjatë karrierës suaj? Mundësia për të qenë pjesë e një klubi si Milani është fantastike. Në ambicien time është bukur të të jepet një shans i tillë dhe e kam pritur me gëzim këtë mundësi për të ardhur te Milani e për të shprehur talentin tim.

Jeni konsultuar me ndonjë ish-kuqezi? Po kam folur me një nga më të mëdhenjtë. (qesh dhe bën shenjë nga Ibrahimoviçi). Ai më saktësoi se çfarë kërkohet nga unë. Milani e ka nisur vitin me Superkupën dhe ishte një fillim i mirë, por unë do të vë përvojën time në dispozicion të ekipit për të arritur edhe më tepër. Lojtarët janë, figurat në bordin drejtuesi i kemi ndaj mendoj se së bashku mund të çojmë Milanin shumë lart.

Çfarë njihni nga Italia dhe futbolli italian? Në fëmijërinë time kam parë shumë ekipe italiane të bënin mirë në Europë. Edhe me kalimin e viteve kam njohur shumë futbollistë nga Italia e për aq sa e njoh Serinë A mendoj se kam ardhur në momentin e duhur. Dua të tregoj se jam i fortë edhe në një kampionat tjetër përveç atij anglez.

Për çfarë ka nevojë Milani sipas jush? Me aq sa kam parë them se i duhet pasion dhe dëshirë për të fituar. Pa dashur t’i mungoj në respekt Parmës, unë pashë një Milan ndryshe në pjesën e dytë, por në Champions të tilla qasje do të ishin penalizuese. Luhet ndaj ekipeve të mëdha e duhet dhënë gjithnjë maksimumi. Edhe grindja mes Kalabria dhe trajnerit është një sinjal që të gjithë kërkojnë shumë sepse punojnë shumë.

Pse e keni zakon të spruconi ujin përpara se të hyni në fushë? Shikoja “Wrestling” kur isha i vogël dhe shumë sportistë e bënin kur ngjiteshin në ring. Epo, edhe fusha për mua është si një ring dhe këtë ritual e kam pasur gjatë gjithë karrierës. Pse zgjodhët numrin 32? Prej David Bekamit, një ikonë për mua. Numrin tim të zakonshëm (2) nuk e merrja dot kështu që meqë 32 ishte i lirë e mora sepse brenda ka edhe dyshin.

Thonë se punoni shumë në palestër? Epo është e nevojshme duke parë kërkesat e futbollit modern. Nëse ka gjëra që mund të më ndihmojnë të përmirësohen atëherë i bëj pa hezitim. Gjenetika ka qenë bujare me mua, por unë dua të jap gjithnjë më tepër sepse kam uri për suksese të reja në karrierën time.

Sa ndikuan anglezët e Milanit për transferimin tuaj? Jo pak sepse Abrahami më shpjegoi për qytetin dhe Tomori me Loftus-Çikun për klubin. Për më tepër Milani është një destinacion intrigues pasi këtu kanë luajtur edhe lojtarë si Kaka, Maldini apo Ronaldinjo që unë i kam pëlqyer gjithmonë.

Cilat janë qëllimet që i keni vendosur vetes deri në fund të sezonit? Jam shumë i lumtur që vesh këtë fanellë dhe luaj për këtë klub. Shpresojmë ta mbyllim mirë sezonin. Liga e Kampioneve po shkon mirë, në kampionat të gjithë e dimë se mund të bëjmë më mirë. Dua të ndaj përvojën time me të rinjtë për të luajtur me pasion. Tifozët e meritojnë.

REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link