
Fitorja me Kukësin e ka tejkaluar presionin e fortë psikologjik, që Besa pati pas humbjes në Vlorë. Për trajnerin Emiljano Çela, fitorja me Kukësin riktheu klimën pozitive në ekip.“Fitorja me Kukësin ka ndikuar jo pak në atmosferën në ekip. U rikthye besimi në grup dhe ndihet një frymë optimiste, pavarësisht renditjes në klasifikim. Kam marrë mesazhet që kërkoj nga i gjithë grupi”, u shpreh fillimisht trajneri Çela për “Panorama Sport”.
Kavajasit do të jenë të dielën në Peshkopi dhe për momentin “armik” do të ketë vetëm motin e ftohtë. Trajneri Çela pret dhe kërkon vazhdimësinë te grupi edhe ndaj Korabit. Thënë ndryshe, verdhezinjtë në Peshkopi do të udhëtojnë me objektiv fitoren.
“Pres që ekipi të vijojë vazhdimësinë edhe në Peshkopi. Kundërshtari është një ekspert prej vitesh i Kategorisë së Parë dhe luan në fushën e tij. Ne kemi fituar dy herë ndaj Korabit, por çdo ndeshje ka specifikën dhe të papriturat e saj. Gjatë gjithë javës jemi përgatitur në kushte të qeta dhe klimë optimiste. Prandaj, do bëjmë më të mirën ndaj Korabit dhe shpresoj që të minimizojmë “sëmundjen” e rasteve të humbura. Fatkeqësisht e shfaqëm edhe ndaj Kukësit, por uroj që ndaj Korabit të tregohemi më të saktë dhe pragmatist. Do të luftojmë deri në fund, duke bërë detyrat tona, pastaj të shohim edhe fatin që do na rezervohet”, përfundoi Çela.
Besa nuk do të udhëtojë e plotë drejt Peshkopisë. I pari që rrezikon mbetet mbrojtësi Erlis Frashëri, që gjatë javës është stërvitur veçmas nga grupi. Vetë Çela shprehet, se vetëm sot do të mësojë se a mund të ketë ndonjë mungesë tjetër. Lidhur me dënimet, kavajasit nuk kanë asnjë të pezulluar për shkak kartonësh.FERIZ FERIZAJ
Korabi më në fund ka gjetur rrugën e duhur, pasi dibranët nuk ishin mësuar që të luftonin për elitën, jo mbijetesën.
Në dy ndeshjet e fundit, portieri Brajan Marku, ka qenë pjesë e formacionit titullar dhe paraqitja e tij ka qenë mjaft e mirë, sidomos në Burrel ku u tregua vendimtar me ndërhyrjet e tija. Fillimisht, në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, ai ndalet te fitorja në “Liri Ballabani” ndaj Burrelit, që e konsideron mjaft të çmuar për vetë vështirësitë që mbart fusha matjane.
“Fitorja në Burrel ishte e merituar. Djemtë treguan karakter dhe besim deri në minutën e fundit. U përballëm me një kundërshtar, që po kalon momente të mira dhe fitorja me të merr vlera aq, më tepër që ndeshjet e fazës së tretë kërkojnë kujdes maksimal”, u shpreh Brajan Marku, që pak ditë më parë festoi 22 vjetorin e lindjes. Në prag është ndeshja me Besën, kundërshtari që në dy fazat e shkuara i ka rrëmbyer pikët e plota dibranëve. Këtë herë, portieri Marku mendon ndryshe dhe është optimist, se fitorja do të anojë te skuadra e tij. Në fund ai shton: “Me Besën do të jetë një përballje e vështirë. Me besim te vetja, gjithçka është e arritshme. Dy fitoret e fundit kanë rritur dukshëm optimizmin në radhët e Korabit. Jam optimist se marrja e tri pikëve do t’i takojë skuadrës sonë”. Pas Besës, kalendari i dibranëve është një malore e vërtetë. Ata do të udhëtojnë drejt Vlorës, ku do të ndeshen me Flamurtarin vendës dhe më pas do të presin Vorën në Peshkopi. NDERIM GOCI
PANORAMASPORT.AL
