Koçiu: Aparatura Prizmaflex, teknologji e avancuar në trajtimin e pacientëve me dëmtime të veshkave


Prizmaflex është aparatura më e re e shtuar në Shërbimin e Reanimacionit në Spitalin Universitar të Traumës.

Prizmaflex është aparaturë e teknologjisë më të avancuar në trajtimin e pacientëve të traumatizuar që bëjnë dëmtime akute të veshkës apo gjendje septike.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale momente nga realizimi i terapisë renale tek pacientët.

“Aparatura mundëson realizimin e terapisë renale zëvendësuese të vazhdueshme, ka të njëjtat indikacione si dializa, por është e përzgjedhur tek pacientët me hemodinamikë jo stabël. Vendosja në funksion e prizmaflex ndihmon në uljen e sëmundshmërisë dhe fatalitetit te pacientët e traumatizuar dhe kirurgjikal”, theksoi Koçiu.

Dr. Rexhina Sturce shefe e Shërbimit të Anestezi- Reanimacionit tha në videon e publikuar nga ministrja Koçiu se “reanimacioni i Spitalit të Traumës është pajisur me një aparaturë të veçantë për realizimin e CRT-së, pra terapisë zëvendësuese të funksionit të veshkave, e cila është një inovacion në trajtimin e pacientëve të Traumës”.

Dr. Grisilda Cana shefe e Klinikës së Brendshme numër 2 tha se “kryerja e CRT-së ka indikacione të njëjta me hemodializë standarde. Kryhet tek pacientët që kanë një hemodinamikë jo stabël që është shumica e pacientëve në reanimacion. Kryerja e CRT në spitalin tonë ka dhënë një ndihmë të madhe duke ulur morbiditetin dhe vdekshmërinë tek pacientët që kanë trauma dhe me dëmtime renale akute”.

 



Source link