
Postuar: Shkurt 1, 2025 | 12:49
Skuadra dibranët do të jenë sot mysafire në qytetin e Pogradecit, ku për llogari të javës së 21-të do të ndeshen me liqenorëve, që pas fitores një jave më parë në transfertën ndaj Valbonës po kalojnë një moment të mirë.
Humbja e pësuar një javë më parë në “Loni Papuçiu” ndaj Apolonisë, është lënë pas dhe e gjithë vëmendja është përqendruar te ndeshja e sotme përballë Pogradecit.
“Ishte një ndeshje e vështirë dhe sigurisht që nuk morëm rezultatin që dëshironim. Kemi nxjerrë mësime nga ajo humbje dhe kemi punuar fort për të përmirësuar gabimet, në mënyrë që të kthehemi më të fortë në ndeshjen e radhës”, u shpreh për “Panorama Sport”, mbrojtësi Rihan Zeqiri, një ndër afrimet e bëra nga drejtuesit dibran në merkaton e janarit.
Ndeshja ndaj liqenorëve është një tjetër transfertë e vështirë për formacionin e trajnerit Canaj, por tetovari Zeqiri është optimist se në Pogradec, skuadra do të hyjë në fushën e lojës me besim te vetja. Zeqiri mendon se loja e Korabit do të shoqërohet me rezultatin pozitiv.
“Përballjen me Pogradecin po e presim me përqendrim dhe motivim. Gjatë javës kemi punuar shumë dhe do të japim maksimumin për të arritur rezultatin pozitiv. Jam optimist se Korabi do të japë maksimumin për të realizuar objektivin e aq shumë të dëshiruar, që është marrja e rezultatit pozitiv”, përfundoi mbrojtësi tetovar, Rihan Zeqiri. Në ndeshjen e sotme, trajneri Canaj nuk do të ketë të gatshëm për arsye kartonësh, Ronald Dishën. Pas 20 javësh, skuadra dibrane është në kuotën e 19-të pikëve.
PANORAMASPORT.AL
