
Veç ndërrimit të emrave të rrugëve, Bilall Kasami theksoi se e mbështet çdo ndryshim të Kushtetutës, me të cilat do të ndryshohen simbolet shtetërore që lidhen me sistemin e kaluar shoqëror-politik. Sipas tij, po mbështeten ndryshimet e Kushtetutës, me të cilat do të reflektohej realiteti i tanishëm i shtetit
Urim HASIPI
Tetovë, 13 shkurt – Në vijim e sipër është shpallja publike e Komunës së Tetovës ku qytetarët, shoqatat joqeveritare dhe grupet tjera mund të dorëzojnë propozime për ndërrimin e emrave të rrugëve në Tetovë. Ajo që dihet deri më tani është se, këshilltarët e partive politike shqiptare kanë dhënë propozimet e tyre, ndërsa partitë maqedonase kanë shfaqur kundërshtimet e tyre, edhe pse në mbledhjet e grupit të punës kanë përfaqësues të tyre, por në mbledhjet e fundit nuk kanë marrë pjesë. Ditë më parë, këshilltarët e VMRO-DPMNE-së kanë publikuar një deklaratë të dhënë nga këshilltari Angel Karapetrov, ku ai thotë se Tetova ka prioritete tjera dhe jo ndërrimin e emrave.
“Qëllimi i kësaj ishte zgjidhja e problemit dhe jo krijimi i problemit të ri. Tërë energjia jonë duhet të jetë e kahëzuar drejt zgjidhjes së problemeve kyçe në Tetovë. Për këtë kemi përkrahjen e Qeverisë ku komuna e Tetovës për vitin 2024/2025 nga kredia Hungarisë do të marrë 16.5 milionë euro”, deklaroi Angel Karapetrov, këshilltar i VMRO-së. Megjithatë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami vazhdon të insistojë se ky proces është gjithpërfshirës dhe garanton se procesi do të jetë transparent.
“Tani jemi të vetëdijshëm se jemi në periudhë para zgjedhjeve lokale dhe do të ketë edhe deklarime të tilla. Unë vlerësoj procesin në bazë të asaj që kërkon Ligji dhe sigurisht edhe në bazë të vendimeve të cilat janë sjellë në kuadër të Këshillit komunal të Tetovës. Në fillim të kësaj jave u bë shpallja publike për qytetarët, të cilët mund të japin propozime të ndryshme për emrat, pastaj do të jetë çështje e komisionit që do të vendosë për procedurën e mëtutjeshme. Por unë garantoj që i gjithë procesi do jetë transparent, gjithpërfshirës për të gjithë qytetarët edhe përbërja e Komisionit është gjithpërfshirëse, e pozitës, opozitës, edhe të komunitetit shqiptar dhe maqedonas”, përsëriti Kasami.
Veç ndërrimit të emrave të rrugëve, kryetari i Tetovës theksoi se e mbështet çdo ndryshim të Kushtetutës, me të cilat do të ndryshohen simbolet shtetërore që lidhen me sistemin e kaluar shoqëror-politik. Sipas tij, po mbështeten ndryshimet e Kushtetutës, me të cilat do të reflektohej realiteti i tanishëm i shtetit.
“Unë, në një dalje publike të mëparshme kam thënë se një nga qëllimet e emërtimit të rrugëve në qytetin e Tetovës ishte që të qëndrojë ende trashëgimia e sistemit të kaluar, që është edhe shpjegimi i kryeministrit për ndryshimin e stemës së shtetit. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë për një pako të ndryshimeve kushtetuese, ku në vend të trashëgimisë nga sistemi i mëparshëm do të reflektojë orientimi i aktual i shtetit drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë të sigurt se ajo do të jetë edhe proces transparent publik”, deklaroi Bilall Kasami.
Në ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski për paralajmërimin e kryetarit të Komunës së Tetovës dhe kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilal Kasami për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë dhe pa konsensus, theksoi se kjo nuk mund të ndodhë dhe nëse ndodh, siç tha, si kryetar i Qeverisë nuk do të shqyrtojë një pikë të tillë.
“Së pari, nuk mund të ketë ndryshim të emrave pa konsensus. Kjo varet nga vendimi i Qeverisë. Nëse merret një vendim i njëanshëm, unë si kryetar i Qeverisë nuk do ta shqyrtoj një pikë të tillë”, tha ditë më parë Mickoski. Shpallja për propozimet e reja do të zgjas deri në 10 mars. Në Tetovë gjithsej ka 297 rrugë, 2016 nga të cilat janë vetëm me numra apo që nuk janë aspak të evidentuara e që institucionet shpesh hasin në pengesa për dërgesat e letrave të ndryshme. (koha.mk)