
Zirkze-Juventus, tash më duket se ka një marrëveshje mes lojtarit dhe drejtuesve bardhezi. Të paktën kështu raportojnë mediat italiane të cilat bëjnë me dije se sulmuesi holandez është i gatshëm të largohet nga Mançester Junajtidi dhe të ribashkohet me ish-trajnerin e tij te Bolonja.
Një lajm që është konfirmuar disi edhe nga Ruben Amorim, trajneri i skuadrës angleze që nuk e përjashtoi mundësinë e largimit të Zirkzes gjatë merkatos së janarit. Por si qëndron e gjithë situata?
ZIRKZE-MOTA- Sulmuesi holandez po kërkon me ngulm që të ritakohet me Tiago Mota, por e njëjta gjë vlen edhe anasjelltas. Zirzke e shikon Juventusin si një shpëtim nga momenti negativ që po kalon, por edhe shpëtim të karrierës, pasi ka besim të verbër te Mota.
Nga ana tjetër, trajneri bardhezi e sheh Zirkzen si lojtarin ideal për të bërë që reparti i tij ofensiv të funksionojë si duhet. Mbi të gjitha, me holandezin në skuadër, Mota do ta kishte më të lehtë edhe menaxhimin e situatës së Dushan Vlahoviçit që mbetet në qendër të kritikave.
NEGOCIATAT- Edhe pse nuk janë pranuar kurrë zyrtarisht, Xhuntoli ka nisur negociatat me Junajtidin. Përflitet se oferta që Juventusi do të bëjë te Junajtidi është ajo e një huazimi me të drejtë blerjeje. Nga ana tjetër ka një njeri që po punon fuqishëm për të sjellë Zirkzen në Torino dhe është Kia Jorbaçian, agjenti i lojtarit, njëkohësisht edhe i Duglas Luizit. Kia ka marrëdhënie të mira me Xhuntolin dhe pasi ka arritur marrëveshjen me “Zonjën” tani po punon që të bindë edhe Junajtidin që të lejë të lirë sulmuesin.
NYJA- Arsyeja pse Xhuntoli ende nuk po gjen dot një zgjidhje për ta afruar lidhet me formulën e transferimit. Në bisedat që ka bërë, Junajtidi kërkon që lojtari të huazohet me detyrim blerjeje. Kjo gjë do të peshonte menjëherë në bilancin e Juventusit brenda këtij sezoni, çka “Zonja” nuk do t’ia lejonte vetes duke parë shpenzimet që ka bërë deri më tani.
Për këtë arsye, Xhuntoli po studion formulën e një huazimi me pagesë të kënaqshme dhe të drejtë blerjeje në bilancin që i takon sezonit të ardhshëm. Në Torino janë ende duke u përpjekur për të gjetur zgjidhje, por të paktën marrëveshja me Zirzken është arritur.
PANORAMASPORT.AL
