
Postuar: Shkurt 28, 2025 | 12:30
Mançester Junajtid rrezikon të paguajë një shifër 12 milionë paund në rast se vendosin që të shkarkojnë Ruben Amorimin këtë verë.Trajneri i “Djajve të Kuq” ka një kosto shumë të lartë shkarkimi sipas “The Sun”. Ai duhet të paguhet me pjesën e mbetur të kontratës, që aktualisht është 2 vite e gjysmë, por në verë do të jetë dy. Nuk ka sugjerime se pronari Sër Xhim Retklif ka ndonjë plan për të shkarkuar portugezin, i cili iu bashkua klubit vetëm në muajin nëntor, pas shkarkimit të trajnerit Erik ten Hag. Por zërat për pakënaqësinë për të kanë nisur, duke qenë se ai ka arritur vetëm pesë fitore dhe regjistruar tetë humbje në 15 ndeshjet e deritanishme në Premier Ligë.
Por nëse gjërat do të shkojnë më keq për skuadrën aktuale të Junajtidit që po konsiderohet si më e dobëta e historisë, Amorim do të largohej me çdo qindarkë të mbetur të 6 milionë paundëve në total (rroga e tij vjetore në “Old Trafford”) që i takojnë nga kontrata aktuale. E njëjta garanci financiare aplikohet edhe në kontratat e të gjithë stafit që ai solli me vete nga Sportingu i Lisbonës. Dhe kostoja totale e dëmshpërblimit të klubit ndaj stafit teknik të Junajtid do arrinte shifrën e 20 milionë paundëve. Javën e shkuar, në publikimin e bilancit deri në fund të vitit 2024, borxhi i klubit kishte arritur në shifrën e 1 miliard paundëve, duke përfshirë 300 milionë paundët që po u paguhen me këste klubeve për transferimet. Amorim e ka përsëritur se stoli i Junajtidit është më i vështirë nga sa ai e kishte menduar.
“Kur e nis një sezon në krye është krejtësisht ndryshe. Në fazën përgatitore ti ke kohën për t’i ndryshuar gjërat. Por kjo ishte zgjedhja ime që të vija në Mançester në mes të sezonit dhe unë e dija që do të ishte e vështirë”, tha tekniku 40- vjeçar. Aktualisht Mançester Junajtid renditet në vend të 14- të në Premier Ligë, me 33 pikë pas 27 javësh dhe pjesëmarrja e tyre në Europë sezonin e ardhshëm duket e pamundur përmes kampionatit.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
