
Postuar: Shkurt 20, 2025 | 20:22
Partizani i këtij sezoni ka qenë një skuadër e përfshirë nga ndryshime, dëmtime e pezullime, çka duket se nuk e ka lejuar stafin të ketë një 11- she fikse. Kjo përkthehet edhe te fakti se asnjë nga lojtarët, përfshirë edhe Qirkon, nuk ka arritur të luajë në të 25-ta sfidat e deritanishme të Superiores.
Megjithatë, një numër i vogël lojtarësh mund të themi se janë baza e ekipit dhe ata që kanë luajtur më së shumti. Qirko, siç pritej, është lojtari më i aktivizuar, teksa në vendin e dytë është ngjitur një emër që deri në verën e shkuar ishte thjesht opsion në stol.
Bëhet fjalë për Redon Ismailin, i cili, pas largimeve të njëpasnjëshme, ka arritur të zërë vend stabël në formacion. Treshen e parë e plotëson Saliu Sembene. Deri para disa javësh, senegalezi ishte titullar fiks, por Veselinoviç e ka ulur në stol në disa ndeshje dhe ka humbur terren në këtë renditje. Sa i përket aktivizimit, pas kësaj tresheje vijnë Preka, Zeka, Bintsuka, Mehmeti e Taipi. Këta emra janë edhe ata nga të cilët pritet më shumë për ta nxjerrë skuadrën nga ngërçi që po kalon në javët e fundit.
PANORAMASPORT.AL
