
Postuar: Janar 14, 2025 | 23:11
Pogradeci u kthye i mposhtur nga transferta me Kukësin. Sipas mesfushorit Oresti Kasmollari, i cili është dhe autori i golit të vetëm të liqenorëve, humbjen e vendosën episodet. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai shprehet:
“Nëse analizojmë ndeshjen, skuadra jonë e kishte nën kontroll lojën, por ishin disa episode ato që vendosen. Ishte një humbje e pamerituar, që me pak kujdes përfundimi do të kishte tjetër rezultat”, thotë fillimisht ai.
Organizimi– Kushtet e vështira atmosferike nuk i kanë penguar futbollistët pogradecarë për t’iu rikthyer seancave stërvitore. Në fundjavë, liqenorët pavarësisht se do të ndeshen në shtëpi, do të kenë një tjetër betejë të fortë. Përballë do të kenë Flamurtarin pretendent. Në ndeshjen e fazës së parë të zhvilluar në Vlorë, skuadra e Agostinelit i ka kushtuar humbjen më të thellë liqenorëve (4-0). 19-vjeçari Kasmollari e sheh me optimizëm vazhdimësinë e skuadrës. “Kam besim se skuadra do të gjejë forcë për t’u rikthyer te fitoret. Afrimet e bëra së fundmi, kanë shtuar dukshëm optimizmin. Pavarësisht se përballë do të kemi Flamurtarin pretendent, me besim te vetja dhe me përkrahjen e publikut, rezultati pozitiv është mëse i arritshëm”, thotë mesfushori.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL
