GARË PËR TË GJET PUNËTORË! Profesionet më të kërkuara në Maqedoni dhe Gjermani


Në shpalljet zyrtare për punë të Agjencisë së Punësimit kërkohen më së shumti punonjës pastrimi dhe operatorë në koll-qendrat, shitës, punëtorë të përgjithshëm dhe nëpunës administrativ. Profesionet tjera që kërkohen janë edhe vozitës kamioni, kamerier, administrator, kuzhinier, punonjës ndërtimi, banakier, rrobaqepës… Gjithashtu arkitektë, ndërtimtarë, ekonomistë… janë personeli që po pakësohet gjithnjë e më shumë në shumë njësi të vetëqeverisjes vendore

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 11 shkurt – Biznesi me vite ankohen se vështirë po gjen punonjës në Maqedoninë e Veriut. Ndër bizneset dhe veprimtaritë ekonomike që nuk po plotësojnë vendet vakante të punës janë edhe ndërtimtaria, bujqësia… Jo vetëm shpërngulja jashtë e punonjësve, por edhe ekonomia informale si dhe puna sezonale shkakton mungesën e fuqisë punëtore, shpjegojnë ekspertët. Njëherësh, këtë problem nuk e kanë vetëm investitorët e huaj që nuk po mundet të gjejnë punonjës për fabrikat e tyre, por edhe administrata që dikur ishte atraktive për punësim, nuk ka të interesuar për të zënë vendet e punës që kërkohen si rrjedhojë e nivelit të pakënaqshëm të të ardhurave mujore, shkruan gazeta KOHA.

Në shpalljet zyrtare për punë të Agjencisë së Punësimit kërkohen më së shumti punonjës pastrimi dhe operatorë në koll-qendrat, shitës, punëtorë të përgjithshëm dhe nëpunës administrativ. Profesionet tjera që kërkohen janë edhe vozitës kamioni, kamerier, administrator, kuzhinier, punonjës ndërtimi, banakier, rrobaqepës… Gjithashtu arkitektë, ndërtimtarë, ekonomistë… janë personeli që po pakësohet gjithnjë e më shumë në shumë njësi të vetëqeverisjes vendore. Pothuajse nuk ka kryetar komune që nuk ankohet për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe problemi bëhet veçanërisht shqetësues në komunat e mëdha, ku punëtorët me përvojë dhe të mirëtrajnuar nga këto fusha nuk aplikojnë për mundësi punësimi. Sipas drejtuesve të komunave, vështirësitë e vërteta do të vijnë kur të gjithë ata tek të cilët realisht mbështetet më shumë administrata komunale, do të dalin në pension.

Kryetarët e komunave theksojnë tendencën e emigrimit të të rinjve, pagat relativisht të ulëta, si dhe procedurën e gjatë dhe komplekse për punësim të përhershëm si arsye kryesore për këtë situatë.

Nga ana tjetër, nuk e zgjidh problemin fakti që në vend janë gati 100 mijë të papunë. Oferta dhe kërkesa në tregun e punës në Maqedoni janë vazhdimisht në mos përputhje apo oferta nuk përkon me kërkesë, edhe pse me dekada ka përpjekje të shumta për të shfrytëzuar potencialin e lirë njerëzor në tregun e punës përmes kualifikimeve të ndryshme shtesë, rikualifikimeve, trajnimeve, arsimimit… Madje, edhe importi i fuqisë punëtore për të zgjidhur problemin e mungesës së fuqisë punëtore, duket se është i kotë.

Rezultatet e anketës së fundit të Agjencisë së Punësimit tregojnë se profesionet për të cilat punëdhënësit përballen me vështirësi në gjetjen e kuadrit të përshtatshëm për të plotësuar pozitat vakante vendet ndryshojnë sipas rajonit dhe arsyet më të zakonshme të vështirësive janë: mungesa e kandidatëve që posedojnë njohuri praktike dhe aftësi të nevojshme për kryerja e detyrave të punës në një profesion të caktuar, mungesë interesi dhe motivimi tek kandidatët për të kryer detyrat e punës në profesionin specifik, mungesa e kandidatëve për punësim me përvojë të përshtatshme pune, mungesa e kandidatëve që do të pranonin një vend pune për pagën e ofruar, si dhe mungesa e kandidatëve me arsim të përshtatshëm.

Në ndërkohë, punonjësit nga Ballkani që jetojnë në Gjermani më së shpeshti merren me punë fizike, në radhë të parë në ndërtim, dhe një numër i madh i tyre janë të punësuar në sistemet shëndetësore, si kujdestarë, teknikë mjekësorë, fizioterapistë, farmacistë, si dhe një numër i madh i mjekëve tanë që janë larguar.

Mungesa e dikurshme e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani është kthyer prej kohësh në një mungesë të përgjithshme të fuqisë punëtore. Ka mungesë punëtorësh në sektorë gjithnjë e më shumë profesionalë. Kjo është veçanërisht e dukshme në ndërtim dhe zejtari. Shifrat e reja në shpalljet e hapura të punës tregojnë se kompani të shumta kërkojnë punëtorë, por shpesh më kot. Gjermania tashmë e ndjen qartë këtë – së bashku me çmimet e larta të ndërtimit dhe lëndëve të para, mungesa e fuqisë punëtore ka goditur ndjeshëm industrinë e ndërtimit dhe strehimit në Gjermani. Një analizë e gjerë e të dhënave të indeksit të postimeve të punës nga media gjermane tregon se sa punëtorë të rinj nevojiten në industrinë e ndërtimit dhe artizanatit si dhe në tregti.

Duke parë llojet e punësimit në ofertën e punës, është e qartë se punëtorët e kualifikuar në ndërtim dhe tregti janë deri tani më të kërkuarit. Kërkohen edhe vozitës profesionistë, si dhe shërbyese që mund të kenë të ardhura të mira, si dhe ju sigurohet akomodimi në hotelin ku punojnë. Çmohen edhe kamerierët, kuzhinierët, stafi i prodhimit të kuzhinës dhe ushqimit, si dhe punëtorët përgjegjës për mirëmbajtjen e higjienës së objektit. Gjermania po kërkon edhe saldatorë, elektricistë, molerë, auto-mekanikë.

Kërkesa kryesore për të punuar në Gjermani është gjuha. Megjithatë, kjo është edhe pengesa më e madhe, sepse njerëzit e mësojnë atë dobët. Ky është një nga kushtet, por sigurisht kyç. “Janë të shumtë ata që u larguan si punëtorë të pakualifikuar, që erdhën pa ditur asnjë gjuhë të huaj, por ia dolën. Gjithashtu, gjithçka varet nga kualifikimet tuaja, ose më saktë nga ajo punë për të cilën dëshironi të aplikoni këtu. Në përgjithësi, niveli B1 mund të përfundojë brenda një viti, ndërsa B2 merr pak më shumë kohë”, shkruajnë mediat gjermane. Natyrisht, punëtorët e pakualifikuar kanë më pak probleme për të gjetur një vend pune, ndërsa punëtorët e kualifikuar duhet të kenë të vërtetuar diplomën, domethënë të njohin në Gjermani diplomat e shkollës së mesme ose fakultetin, certifikatat, provimet dhe titujt akademikë që kanë marrë në vendlindje. (koha.mk)



Source link