
Instituti GAP ka ndarë një tabelë të projekteve aktive të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID, në Kosovë, të cilat tashmë janë pezulluar për të paktën 90 ditë.
Sipas të dhënave të publikuara nga GAP-i, ndalimi i përkohshëm i ndihmës së huaj prekë rreth 17 projekte aktive që kontribuojnë në Kosovë, me financim total prej rreth 145 milionë dollarë.
“Urdhri i Presidentit të SHBA për ndalimin e përkohshëm të ndihmës së huaj për 90 ditë, në Kosovë i ndikon rreth 17 projekte aktive të financuara nga USAID që japin kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e vendit”, thuhet në njoftimin e GAP-it.
Më tej bëhet e ditur se disa prej këtyre projekteve kanë filluar para pandemisë dhe shumica prej tyre zbatohen nga kompani amerikane e disa më të vogla nga organizata vendore.
“Përfituesit kryesorë përfshijnë institucione publike si komunat, ministritë, agjencitë e pavarura, universitetet, gjykatat, e po ashtu mediat, sektorin privat dhe organizatat e shoqërisë civile”, ka bërë të ditur GAP.