
Sipas autoriteteve të Komunës së Tetovës, ndërtimi i këtij bulevardi do të ndihmonte shumë në shkarkimin e komunikacionit nga rrugët tjera të qytetit
Urim HASIPI
Tetovë, 25 shkurt – Në bulevardin “Boris Kidriç” pavarësisht ndërprerjeve të punëve për shkak të kushteve klimatike megjithatë aty po punohet sipas dinamikës së paraparë. Kështu thonë autoritetet e komunës së Tetovës, prej nga sigurojnë se në njërën pjesë të bulevardit janë përfunduar punët që kanë të bëjnë me rrjetin nëntokësor, ndërsa më pas do të vazhdohet me pjesën e dytë të bulevardit. Kjo bëhet me qëllim që të mos ndërpritet tërësisht për qarkullim i tërë bulevardi.
“Punët po vazhdojnë sipas planit të parashikuar, pavarësisht disa vonesave që janë bërë për shkak të kushteve klimatike. Sigurisht se është rregulluar rrjeti i infrastrukturës nëntokësore, është bërë tamponimi dhe janë vendosur skajoret në rrugë. Sigurisht pas përfundimit të kësaj, do të vazhdohet me pjesën tjetër të rrugës me punë, ndërsa pjesa që aktualisht është tamponuar do të shfrytëzohet për qarkullim. Punët realizohen në dy faza, faza e parë është në përfundim pasi që në këtë fazë është përfshirë tamponimi I rrugës dhe vendosja e skajoreve, ndërsa faza e dytë parasheh asfaltimin e këtij bulevardi”, deklaroi Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Në ndërkohë, bëhet e ditur se faza e dytë përfshinë edhe punët shtesë, siç janë ndërtimi i trotuareve, stazave për këmbësorë dhe biçikleta, ndriçimin dhe investime tjera që kanë të bëjnë me këtë bulevard. Punët për ndërtimin e bulevardit “Boris Kidriç” filluan në fund të muajit tetor, ndërsa planifikohen të zgjasin deri në muajt e verës. Sipas paralajmërimeve faza e parë do të kushtojë mbi 5 milionë denarë, ndërsa faza e dytë mbi 7 milionë denarë apo rreth 200 mijë euro gjithsej.
Sipas autoriteteve të Komunës së Tetovës, ndërtimi i këtij bulevardi do të ndihmonte shumë në shkarkimin e komunikacionit nga rrugët tjera të qytetit por njëkohësisht do të mundësonte lëvizje më të sigurt edhe për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, pasi që në këtë zonë jo shumë larg ndodhet shkolla e mesme ekonomike si dhe shkolla fillore Migjeni. Krahas kësaj, kjo rrugë lidhet direkt edhe me qendrën sportive në Tetovë. Gjatë fillimit të punëve, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami deklaroi se gjatësia e rrugës është 350 metra, kurse gjerësia është 25 metra. Sipas tij, do të ketë në të dy anët e rrugës trotuare me nga dy metra, rrugët do të jenë nga tre metra, po ashtu është paraparë edhe gjelbërim, shëtitorja do të jetë 4.5 metra dhe dy shtigje për biçikleta me nga dy metra.
Bulevardi “Boris Kidriç” përfshinë rrugën nga ish Shtëpia e Armatës e deri tek qendra sportive e cila lidhet edhe me pjesën qendrore të qytetit të Tetovës përmes bulevardit “Bllagoja Toska”. (koha.mk)