Erzenin nuk e njohim si kundërshtar, por…


Dinamo kërkon të harrojë sa më parë humbjen e Ballshit dhe në këtë kontekst është më mirë që përballja e Kupës me Erzenin vjen shumë shpejt. Blutë e konsiderojnë këtë kompeticion si një mundësi të mirë për të fituar trofe dhe e kanë marrë shumë seriozisht, pavarësisht se kundërshtari i sotëm është modest.

bruno dita

Ndeshja që luhet sot në “Elbasan Arena”, në orën 13:30, do të shfrytëzohet nga stafi teknik edhe si një test para sfidës së kampionatit në fundjavë me Elbasanin. Trajneri Ilir Daja do të ndryshojë diçka në skuadër, por jo shumë, pasi kërkon që futbollistët të rifitojnë ritmin që kishin para ndërprerjes së kampionatit.

DITA – Kapiteni i kryeqytetasve, Bruno Dita, thekson për “Panorama Sport” se kualifikimi është detyrim në Kupë, ku Dinamo ka ambiciet e saj. Ai shprehet se ndeshja me Erzenin do ta ndihmojë skuadrën për rikthimin te fitorja dhe për ta karikuara para kampionatit.

“Nuk e nisëm mirë vitin 2025, pësuam atë humbje për mendimin tim të pamerituar me Bylisin, ku luajtëm mirë dhe krijuam rastet tona për shënim. Shpërdoruam dhe në fund morëm edhe atë gol. Ishte mungesë fati besoj ajo humbje, ndaj dhe për ne është më mirë që vjen shpejt Kupa, sepse kemi mundësinë të reagojmë menjëherë. Erzenin nuk e njohim si kundërshtar, të them të drejtën, por ndeshjen do ta vlerësojmë drejt, do të jemi seriozë në fushë për të fituar dhe për të përmirësuar moralin pas humbjes me Bylisin në kampionat. Nuk duhet ta diskutojmë këtë ndeshje dhe kualifikimin për më tej”, ka thënë fillimisht kapiteni i “Nëndetëses”.

AMBICIET – Dita shton më tej se Dinamo synon t’i shkojë deri në fund Kupës, edhe pse përparësi mund të ketë kampionati. “Dinamo e ka në objektivat e saj të sezonit edhe Kupën. Jo vetëm se është një trofe, por është edhe një rrugë më e shkurtër për të shkuar në Europë.

Kemi një grup të kompletuar lojtarësh që mund të përballojë të dy kompeticionet e sezonit. Tani kemi përpara Erzenin dhe duhet të bëjmë detyrën, pastaj do të shohim se çfarë do të na ofrojë shorti në Kupë. Por, sido që të jetë, Dinamo do të synojë të bëjë më të mirën edhe këtë kompeticion he pse jo ta fitojë”, ka përfunduar mesfushori i spostuar tashmë në mbrojtje.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link