Elbasani luan gjithë sezonin me Partizanin, fitorja mban gjallë Europën


Elbasani po përpiqet ta lërë pas atë eliminim të hidhur në kupë ndaj Vllaznisë, ku “ruleta” e penalltive i nxori jashtë këtij kompeticioni.elbasaniEdhe pse të zhgënjyer, verdheblutë duan të ringrihen dhe të vijojnë garën në kampionat. Trajneri Ivan Gvozdenoviç është munduar që këto dy ditë pas kupës të punojë më shumë me anën psikologjike të lojtarëve, duke qenë se janë shumë të rënduar për atë që prodhoi përfundimi i 120 minutave në Shkodër. Duke ditur se përpara kanë edhe më shumë se një fazë kampionat dhe janë mes “dy zjarresh”, serbi i pankinës elbasanase ka vlerësuar paraqitjen e të tijve, duke ia lënë eliminimin pjesës së fatit.

SHANSI I FUNDIT – Me kupën që u iku nga duart pas dështimit te penalltitë, Elbasani tani është i fokusuar tërësisht te kampionati. Kur dukej se do të ishte pikërisht kupa mundësia e fundit për të tentuar Europën, tani shanset e vetme janë nëpërmjet kampionatit. Duket se një “asist” i është dhënë pikërisht nga kundërshtari i kësaj jave, Partizani. Rezultatet negative të të kuqve, kanë bërë që verdheblutë të mbajnë shpresat gjallë për një vend në Europë. Megjithatë, nëse Elbasani do të vazhdojë të jetë në garë për këtë objektiv ose jo, ndahen ditën e nesërme në përballjen direkte me të kuqtë në “Elbasan Arena”. Diferenca mes dy skuadrave është nëntë pikë dhe, në rast të një fitoreje të verdhebluve, do të shkonte në gjashtë. Me një fazë ende për t’u luajtur dhe 27 pikë në lojë, çdo gjë është e mundur. Nëse Elbasani dështon nesër dhe ndalet në barazim ose më keq, mundet, mbyll njëherë e mirë hesapet me Europën. Për këtë arsye, dueli me Partizanin vlen sa një sezon dhe në Elbasan nuk duan t’u ikë nga duart kjo mundësi, por do ta tentojnë deri në fund të jenë pjesë e “Final 4”.

MBIJETESA – Nëse fitorja me Partizanin i mban gjallë shpresat për një vend në katërshe, një humbje ndaj tyre vë në rrezik mbijetesën e Elbasanit. Edhe pse deri më tani nuk ishte menduar diçka e tillë, rezultatet e javëve të fundit, si të Elbasanit, ashtu edhe të kundërshtarëve poshtë tyre, kanë bërë që verdheblutë të ndiejnë rrezikun që vjen nga poshtë. Thuhet kështu, sepse vendi i tetë që shkon në “play out” është vetëm katër pikë më pak, ndërsa i nënti që bie direkt nga elita, është pesë pikë. Me pak fjalë, mjafton një humbje për të përmbysur gjithë situatën. Për këtë arsye, ndeshja me Partizanin merr shumë vlera për verdheblutë, ku kërkohet me çdo kusht marrja e tri pikëve.

KRIZA – Në kampionat, verdheblutë nuk fitojnë prej gjashtë ndeshjesh radhazi, ku kanë sigluar tri barazime dhe po kaq humbje. Praktikisht, nga 18 pikë në lojë, kanë marrë vetëm tri, duke humbur shumë terren me kreun dhe u dhënë mundësinë skuadrave nga poshtë të afrohen ndjeshëm. Fitorja e fundit e verdhebluve është ajo ndaj Teutës në ndeshjen e parë të vitit në shifrat 3-1 në “Elbasan Arena”, ku spikati sulmuesi Arsen Lleshi me anë të një triplete. Nga ajo kohë, Elbasani ka harruar shijen e fitores, edhe pse për hir të së vërtetës lojërat e zhvilluara kanë qenë pozitive.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link