
Tirana bëhet pishman që nuk shiti Mahamadu Dembelenë në Austri, por ka dy mundësi për të bërë para nga largimi i Ualid Zharmunisë dhe Ermal Metës. Te bardheblutë duan të rregullojnë bilancet e skuadrës dhe nëse në dhjetor 2024 ishin kundër shitjes së Mahamadu Dembelesë në kampionatin austriak, tani gjërat kanë ndryshuar. Bardheblutë duan të përfitojnë nga ky transferim dhe janë të gatshëm ta shesin francezin.
Problemi qëndron te skuadra austriake, e cila tani është tërhequr. “Panorama Sport” mësoi në dhjetor se prej javësh në tavolinën e Refik Halilit qëndronte një ofertë nga klubi Rheindorf Altach. Këta të fundit kanë ofruar rreth 250 mijë euro për të blerë kartonin e mbrojtësit francez, i cili ka luajtur këto muaj me bardheblutë.
Austriakët po bënin presion, por drejtuesit bardheblu nuk pranuan që të lëshojnë francezin, ndërsa tani kanë ndryshuar mendje, ndonëse është vonë. Lojtari është 25 vjeç, ndërsa firmosi në verë me bardheblutë, në fushë ka qenë 21 takime, ka shënuar 1 gol si dhe ka qenë në fushën e lojës 1724 minuta. Vlera e kartonit të lojtarit është 250 mijë euro, ndërkohë që ai mund të luajë si qendërmbrojtës dhe mesfushor difensiv.
ZHARMUNI – Ualid Zharmuni, deri dje ishte i padiskutueshëm në qendër të sulmit, por largimi nga skuadra mund të bëhet realitet deri në fund të merkatos. Zharmuni kërkohet nga Hatajspori në Turqi dhe mendohet se skuadra mund ta paguajë rreth 150 mijë euro kartonin e tij. Bardheblutë duhet të vendosin shumë shpejt nëse duan të përfitojnë nga kjo shitje. Lojtari vlen 350 mijë euro, ndërsa është aktivizuar në 19 takime, ka shënuar 5 gola, ka dhënë disa asiste si dhe 1433 minuta lojë.
META – Klubi i Serisë B në Itali, Sampdoria është e interesuar për shërbimet e mesfushorit të Tiranës, Ermal Meta. Lajmi është raportuar dje nga mediat italiane. Meta ka luajtur 15 ndeshje këtë sezon me bardheblutë dhe ka marrë ftesë nga trajneri Alban Bushi për te Kombëtarja U21. Ai është një lojtar shumë fleksibël, pasi mund të mbulojë role të ndryshme në mesfushë dhe mund të përdoret gjithashtu si qendërmbrojtës. Ekipi renditet në vendin e 16- të në Serinë B dhe kërkon që të paktën mos rrëzohet nga kategoria. Drejtuesit e klubit duan ti ofrojnë 20-vjeçarin trajnerit Leonardo Sempliki në këtë merkato të janarit. Gjithçka pritet të marrë formë në ditët në vijim… Rikujtojmë që Sampdoria ishte një klub i njohur në Itali derisa u rrëzua nga Seria A në sezonin 2022-23.
BLERJET – Tirana ndonëse ka afruar disa lojtarë këtë janar, mendon të plotësojë edhe më shumë organikën. Në këtë moment që flasim është duke u punuar që skuadra të afrojë një futbollist, i cili të mbulojë pozicionin pas sulmuesve, ndërsa po kërkohet edhe një “uinger”, i cili të “rrahë” sa më shumë portën.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL
