
Egnatia e ndali ecurinë e rezultateve negative ndaj Skënderbeut, ekipit që mbyll tabelën e klasifikimit. Kjo humbje erdhi pikërisht në momentin kur rrogozhinasit prisnin të bënin shkëputjen e madhe në krye të klasifikimit. Kampionët në fuqi vazhdojnë të kryesojnë edhe pas disfatës në Korçë, por Vllaznia dhe Dinamo janë afruar respektivisht me 3 dhe 4 pikë.
Ajo që bie në sy përgjatë këtij sezoni ka të bëjë me ndeshjet e dobëta të Egnatias përballë ekipeve që luftojnë për mbijetesë, duke lënë pikë të vlefshme rrugës. Konkretisht, skuadra e trajnerit Tetova këtë sezon ka pësuar 6 humbje dhe 3 prej tyre kanë ardhur nga ekipe me objektiva të tjera. Para Skënderbeut, Egnatia ishte mundur nga Teuta dhe Laçi.
Dhe sfida e radhës në kampionat është ndaj Teutës, me të cilën rrogozhinasit kanë vuajtur gjithmonë, me 12 ndeshje radhazi që nuk fitojnë. Një tjetër hap fals ndaj durrsakëve këtë fundjavë do ta komplikonte situatën ndoshta për kampionët, sepse do t’u rrezikohej vendi i parë. Tani mbetet të shihet reagimi i skuadrës pas humbjes në Korçë.
KUPA – Humbja me Skënderbeun mund të harrohet shpejt, nëse Egnatia fiton në çerekfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë ndaj Bylisit, që luhet nesër në Rrogozhinë. Në fakt, pas fitores 1-3 në Ballsh, duket thjesht formalitet kualifikimi.
Dy gola avantazh dhe fakti që luan në fushën e saj i japin Egnatias shumë pluse, pa llogaritur këtu edhe diferencën që ka në organikë me kundërshtarin. Por në Rrogozhinë nuk duan të festojnë para kohe dhe nesër do të jenë seriozë në fushë. Mbetet për t’u parë, nëse trajneri Tetova do të bëjë rrotacion në këtë ndeshje apo jo. Rrogozhinasit janë mbajtësit e trofeut të Kupës këto dy edicionet e fundit dhe synojnë të bëjnë “tris”.