Egnatia ndez “turbon”, të gjithë gati për Bylisin


Egnatia është duke vijuar normalisht përgatitjet në kuadër të ndeshjes që do të ketë ditën e nesërme në shtëpi përballë skuadrës së Bylisit. Tanimë, kampionët në fuqi të Superiores hyjnë në fushë me petkun e skuadrës kryesuese dhe synimi është ta ruajnë këtë pozicion deri në fund. Rrogozhinasit shpresojnë që ta shfrytëzojnë në maksimum momentin e mirë që po kalojnë, ku vijnë pas pesë fitoresh radhazi dhe për më tepër pa asnjë gol të pësuar.

EGNATIA

E njëjta situatë paraqitet edhe përballë rivalit të radhës, Bylisit, me të cilët kanë një bilanc tejet pozitiv në përballjet e fundit. Bëhet fjalë për katër fitore radhazi të të besuarve të Edlir Tetovës, të cilët kanë treguar hapur supermacinë e tyre përballë ballshiotëve. Edhe në sfidën e nesërme janë ata që hyjnë në fushë si favoritë, për vete objektivat që kanë apo edhe për organikën, ku dukshëm ajo e kampionëve është më cilësore.

ORGANIKA – Edlir Tetova pritet të ketë në dispozicion një organikë të plotë në këtë ndeshje, pasi nuk raportohet për asnjë lojtar që të ketë probleme me kartonët. Në dyshim është vetëm mbrojtësi Renato Malota, i cili ka pësuar një dëmtim dhe është në fazë rikuperimi, ndaj mbetet për t’u parë nëse do të jetë gati për ditën e nesërme.

Sakaq, duket se ka ardhur momenti që të provohen në fushë edhe dy afrimet e fundit, mbrojtësi Eljon Sota dhe sulmuesi Saliu Guindo, të cilët me Vllazninë qëndruan gjatë gjithë kohës në pankinë. Pritet që ndaj mallakastriotëve t’u rezervohen disa minuta që “të shkrihen” sa më parë me pjesën tjetër të skuadrës, sepse shihen si dy elemente që kanë ardhur në Rrogozhinë për të pasur role protagonizmi.

FORMACIONI FITUES – Ndaj Vllaznisë ishte edhe testi i vërtetë i forcës për lojtarët e Egnatias, një provë që e kaluan me sukses. Pritet që Tetova t’u besojë sërish të njëjtëve titullarëve edhe së paku ndaj Bylisit, duke qenë se skuadra ka funksionuar dhe formacioni fitues nuk ndryshon. Madje, Tetova duket se po heq dorë edhe nga mbrojtja me tre, duke luajtur me skemën klasike me katër të tillë, ku Fangaj me Ndrecën janë nga krahët, ndërsa Dylis dhe Xhemalji në qendër.

Aleksi me Fernandon në qendër të mesit të fushës, ndërsa Kasa, Lushkja dhe Ujka janë në mbështetje të Bakajokos si sulmuesi i vetëm. Pritet që me të njëjtin rreshtim Tetova të luajë edhe ndaj Bylisit ditën e nesërme.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link