
Sot Ministria e Ekonomisë pritet të kumtojë çfarë masa do të ndërmarrë Qeveria lidhur me shtrenjtimet e produkteve themelore ushqimore, për të cilat qytetarët organizuan në dy të premte bojkot të zinxhirëve të mëdhenj të marketeve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 shkurt – Dy javë pasi qytetarët ngritën zërin për çmimet e larta dhe dy bojkotet ndaj dyqaneve, ende nuk ka masa konkrete, por priten raportet nga inspektorati. Të martën pritet që Ministria e Ekonomisë të kumtojë çfarë masa do të ndërmarrë Qeveria lidhur me shtrenjtimet e produkteve themelore ushqimore, për të cilat qytetarët organizuan në dy të premte bojkot të zinxhirëve të mëdhenj të marketeve. Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, deklaroi mbështetje për qytetarët pasi, sipas tij, ka tregtarë të cilët pa asnjë arsye kanë rritur çmimet.
“Është legjitime të ketë bojkot të marketeve, e kuptoj organizimin e aktiviteteve të këtilla sepse subjekte të caktuara në mënyrë spekuluese tentojnë të gjenerojnë të ardhura më të mëdha në kurriz të qytetarëve. Këtë nuk do ta pranojmë dhe nuk ta tolerojmë. Do t’ju njoftojmë se si do të veprojmë më tutje, jemi të gatshëm t’i ndërmarrim të gjitha masat që i kemi në dispozicion në mënyrë që t’i parandalojmë këto situata të pakëndshme”, tha Durmishi. Sipas tij, masat vijojnë pasi Inspektorati shtetëror i tregut të përfundojë kontrollet gjashtëmujore, me të cilat janë përfshirë distributorët, furnitorë, prodhuesit dhe tregtarët.
“Rrjedhin kontrollet e distributorëve, furnitorëve, prodhuesve dhe tregtarëve. Mbikëqyrje po bëhet ndaj tërë procesit, po kontrollohet edhe sa është marzhi i lënë nga tregtarët për periudhë prej gjashtë muajve, nëse atje është prekur dhe në bazë të atij raporti nga Inspektorati, si Qeveri do të ndërmarrim masa adekuate”, theksoi ministri javën e kaluar, duke shtuar se edhe Inspektorati do të dalë me informata konkrete.
Në fundjavë, kryeministri Hristijan Mickoski nuk e përjashtoi mundësinë e masave intervenuese që do të miratohen në seancën e ardhshme të Qeverisë, të martën, kur Ministria e Ekonomisë do të prezantojë raportin 6 mujor. Ai do të tregojë se çfarë marzhesh kanë vendosur shitësit me pakicë, shpërndarësit dhe prodhuesit në tregje të mëdha dhe do të përfshijë gjithashtu farmacitë dhe dyqanet e pajisjeve.
“Pres një informim të detajuar në seancë, pas së cilës inspektorati së bashku me Ministrinë e Ekonomisë do të dalin me parametra konkretë. Nëse sistemi nuk funksionon siç duhet, nga prodhuesit, përmes distributorëve, e tek zinxhirët e shitjes me pakicë – Qeveria do të duhet të reagojë me masa kontrolli mbrojtëse. Ky aksion do të shtrihet edhe në operatorë të tjerë ekonomikë, përfshirë farmacitë dhe dyqanet e teknikës së bardhë. Është e papranueshme që të njëjtat produkte të jenë dy deri në tre herë më të shtrenjta këtu se sa në sa shtetet fqinje”, tha Mickoski. Ai theksoi se e kupton revoltën e qytetarëve për çmimet e larta, por theksoi se zgjidhja duhet kërkuar me dialog.
“Nëse një palë nuk i respekton masat e dakorduara, Qeveria do të duhet të ndërhyjë. Ne nuk duam të bëjmë politikë me ndërhyrje, por dialog konstruktiv. Tentativa e mëparshme para Vitit të Ri nuk përfundoi ashtu siç e prisnim, sepse u thye besimi mes Qeverisë dhe tregtarëve”, shtoi kryeministri.
Nga LSDM opozitare, nga ana tjetër, thanë se bojkoti i qytetarëve është mesazh për pushtetin e Mickoskit se nuk i ka mbrojtur qytetarët dhe nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar rritjen e çmimeve. Për më tepër kërkojnë rritjen e pagës minimale në 30 mijë denarë. “LSDM propozoi masa dhe zgjidhje konkrete për parandalimin e rritjes së çmimeve, si Ligjin për uljen e TVSH-së në ushqime në 0%, Ligjin për rritjen e pagës minimale, propozimet për rritjen e pagave sipas sektorëve, por qeveria arrogante i refuzoi. Ndaj, është plotësisht e kuptueshme revolta e qytetarëve ndaj rritjes së çmimeve dhe mënyra se si e treguan atë”, shtojnë nga LSDM.
Fillimisht, bojkoti për të mos blerë nga supermarketet e mëdha u nxit nga Kroacia dhe në një kohë të shkurtër u përhap pothuajse në të gjithë rajonin. Bojkoti fillestar i supermarketeve në vend rezultoi në një rënie gati 47 për qind të shitjeve në tetë zinxhirët më të mëdhenj në vend. Por edhe pas bojkotit, çmimet mbetën të njëjta, me përjashtim të disa çmimeve promocionale që aplikuan disa dyqane. Në bojkotin e parë – më 31 janar, qytetarët kanë shpenzuar 114.293.367 denarë, një javë më vonë ato kanë kanë shpenzuar 181.288.348 denarë për pazar, ka njoftuar Drejtoria e të Hyrave Publike përmes sistemit të tyre GPRS.
Odat kanë dalë në mbrojtje të anëtareve të tyre – marketeve. Supermarketet nuk janë përgjegjëse për rritjen e çmimeve dhe fuqia kryesore e çmimeve është në duart e furnitorëve dhe prodhuesve, të cilët gëzojnë fitime dukshëm më të larta, ndërsa supermarketet funksionojnë me marzhe minimale, thuhet në analizën e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë. Duke cituar rezultatet e një analize, nga kjo Odë ekonomike theksojnë se supermarketet operojnë me një marzh fitimi mesatar prej 0.83 për qind, ndërsa prodhuesit dhe shpërndarësit arrijnë mesatarisht 4.32 për qind. Disa furnizues kanë marzhe fitimi mbi 13 për qind, ndërsa supermarketet mbeten nën 3 për qind.
Në ndërkohë, sondazhet e Institutit për Hulumtime Politike në Shkup tregojnë se vetëm 16 për qind e qytetarëve mund të mbulojnë plotësisht shpenzimet mujore të jetesës. Një e treta e qytetarëve thonë se arrijnë deri diku t’i mbulojnë shpenzimet dhe 51.2 për qind e të anketuarve dhanë përgjigje negative. Njëherësh, qytetarët nuk janë optimistë as për periudhën e ardhshme. Më shumë se 59 për qind besojnë se inflacioni do të vazhdojë të rritet këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Rreth 10 për qind e të anketuarve presin ulje çmimi, ndërsa 79.4 për qind e qytetarëve thonë se masat e ngrirjes së çmimeve janë joefektive. Sipas tyre, rritja e çmimeve nuk ndikohet nga kostoja reale e prodhimit, por nga dëshira për fitime më të mëdha të tregtarëve dhe tregjeve. Këtë përgjigje e kanë dhënë 72.3 për qind e të anketuarve.
69.2 për qind e të anketuarve thonë se rritja ekonomike dhe produktiviteti duhet të jenë faktor për rritjen e pagës minimale. 17 për qind e të anketuarve thonë se duhet diktuar vetëm nga vendimet politike. Anketa IPIS Detector u krye nga data 24 deri më 26 janar të këtij viti, me telefon, në një kampion përfaqësues prej 1033 të anketuarve nga i gjithë vend. (koha.mk)