
Sipas të dhënave të AUV-së, viti i kaluar përfundoi me rritje të indeksit të çmimeve të mishit, produkteve të qumështit dhe vajit. Çmime marramendëse janë shënuar tek frutat me 7.8% dhe te perimet me 7.5%. Rritja më e ndjeshme është te kafeja me 7.2%, e ndjekur nga pijet joalkoolike 5.8%, vera 9.7%, dhe duhani 9%
Besa IBRAIMI
Shkup, 19 janar – Sipas vlerësimeve të qeverisë, ky vit do të jetë një vit “më i lirë” i çmimeve me një normë inflacioni prej 2.2%, por ky skenar optimist është ende nën hijen e rreziqeve të vjetra dhe të reja, si lufta në Ukrainë, si dhe njoftimet e presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e barrierave doganore dhe tarifore për Kinën dhe BE-në. Ndërkohë që indeksi global i ushqimit është në rënie, në Maqedoni statistikat tregojnë se ka rritje të çmimeve. Rritja më e madhe është shënuar tek fruta-perimet, sheqeri dhe kafeja. Sipas të dhënave të ESHS-së, viti i kaluar krahasuar me vitin 2023, ka përfunduar me një rënie të indeksit të çmimeve të ushqimeve me rritje prej 2.1%. Në të njëjtën periudhë, kostoja e jetesës në vend vetëm për ushqim është rritur për 2.7%.
Në ndërkohë, analiza krahasuese e bërë nga “Portalb” duke përdorur të dhënat nga Indeksi i Çmimeve të shportës së produkteve ushqimore të tregtuara ndërkombëtarisht, të matur nga AUV dhe Indeksi i kostos së jetesës të ESHS-së, tregon se viti i kaluar për qytetarët ishte ende inflacionit, duke qenë se në nivel vjetor, ka pasur rritje të çmimeve për një pjesë të madhe të produkteve ushqimore bazë. Indeksi i çmimeve të drithërave në kuadrin global është ulur me 13.3% me bazë vjetore, dhe në të njëjtën periudhë kostoja e jetesës për bukën dhe drithërat është rritur për 0.8%. Ka një rënie më të ndjeshme në indeksin e çmimit të sheqerit. Ndërsa në tregun botëror krahasuar me vitin 2023, në vitin 2024 ka një rënie prej 13.2%, kurse në të njëjtën periudhë në tregun vendas kostoja e jetesës për sheqer është rritur për 4.5%.
Sipas të dhënave të AUV-së, viti i kaluar përfundoi me rritje të indeksit të çmimeve të mishit, produkteve të qumështit dhe vajit. Rritje të këtij lloji shënuan edhe statistikat e brendshme, të cilat sipas vlerësimeve të qeverisë, do të ishin më të larta nëse nuk do të ishte ushtruar “presion” për uljen e çmimeve para festave të Vitit të Ri. Të dhënat e reja statistikore tregojnë çmime marramendëse të frutave me 7.8% dhe të perimeve me 7.5%. Rritja më e ndjeshme është te kafeja me 7.2%, e ndjekur nga pijet joalkoolike 5.8%, vera 9.7%, dhe duhani 9%.
Institucionet financiare vendase dhe të huaja parashikojnë se këtë vit pritet një stabilizim i çmimeve, i cili do të sjellë ulje të inflacionit. Edhe në Raportin e ri të BPRMV-së vihet re se këtë vit çmimet e ushqimeve dhe metaleve pritet të ulen, por nën rrezikun e njoftimeve të presidentit amerikan për t’i shpallur “luftë” doganore Kinës dhe Evropës. “Për sa i përket çmimeve të metaleve dhe produkteve ushqimore, janë bërë korrigjime në rënie për vitin e ardhshëm, ndërkohë që çmimet e naftës janë thuajse të pandryshuara në kushtet e pasigurisë nga tarifat e shpallura në SHBA, të cilat mund të çojnë në rritje të tensioneve gjeopolitike, veçanërisht me Kinën dhe kërkesën e reduktuar”, thuhet në raport. Sipas vlerësimeve të reja buxhetore, inflacioni global këtë vit do të arrijë në 4.3%.
“Në ekonomitë e zhvilluara pritet një rënie më e shpejtë se në vendet në zhvillim, megjithatë priten sfida të caktuara në uljen e inflacionit. Edhe pse çmimet e mallrave po stabilizohen, çmimet e shërbimeve mbeten në nivele më të larta në shumë rajone”, thuhet në buxhetin e vitit 2025. Vitin e kaluar, krahasuar me një vit më parë, kostoja e jetesës në nivel shtetëror u rrit me 3.5%, dhe kjo normë ende konsiderohet e “moderuar” duke pasur parasysh gjendjen e inflacionit “të shfrenuar” në vitet e mëparshme. Këtë vit, sipas qeverisë, inflacioni i brendshëm do të ulet në 2.2%.
“Pritshmëria për uljen e inflacionit mbështetet nga stabilizimi i parashikuar i çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe të energjisë në tregun ndërkombëtar, ngadalësimi i inflacionit të jashtëm efektiv, si dhe presioni më i moderuar i inflacionit bazë”, shkruan në dokumentin e buxhetit. (koha.mk)