
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar turin e takimeve me diasporën shqiptare, ku sot është pritur nga emigrantët shqiptarë në Parma, Itali.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ndau detaje nga vizita e tij në Romë, ku u takua me Chris LaCivita, të cilin e cilësoi si “kryestrategun dhe kryemagjistarin e fushatës së Donald Trump”.
“Edi Rama u tmerrua kur e pa. E kuptoi humbjen e tij dhe menjëherë nisi propagandën, duke pretenduar se LaCivita ishte blerë nga Berisha. Po ai ngatërroi LaCivita me McGonigal-in,” u shpreh Berisha.
Ai vijoi duke cituar një gazetar italian, i cili sipas tij ka zbuluar një marrëveshje mes Ramës dhe ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal, për të shkatërruar opozitën në Shqipëri.
“Këtë herë, postimi i tij nuk mbeti i heshtur, sepse Chris LaCivita e shpërndau. Dhe unë i them Edi Ramës: hija e McGonigal-it do të të ndjekë deri në ditën e fundit të jetës tënde,” deklaroi ai.
Berisha theksoi gjithashtu mbështetjen e LaCivitës dhe administratës së Trump për Partinë Demokratike, duke e cilësuar këtë si një sinjal të qartë se PD është aleatja e vërtetë e Shteteve të Bashkuara.
“Të nesërmen e largimit tim nga Roma, para shqiptarëve u paraqita me kryestrategun, kryemagjistarin e fushatës së Donald Trump, presidentit të SHBA, Chris LaCivita. Shkallmoi Edi Rama, u tmerrua. E pa me sy humbjen, fatalitetin e tij dhe menjëherë me mediat e tij deklaroi se LaCivita u ble nga Berisha. Po të ishte puna për të blerë, po ai e ngatërroi LaCivita me McGonigal-in.
Kam një lajm për ju sot. Një gazetar i madh italian shkruante sot, e kam të paqartë marrëveshjen Rama-McGonigal sepse drejtësia e Biden e mbajti të fshehtë një marrëveshje ku ai mori ryshfet 225 mijë dollarë. Ajo ishte marrëveshje për shkatërrimin e opozitës në Shqipëri. Kësaj radhe postimi i këtij gazetari nuk mbeti pa u publikuar sepse Chris LaCivita e shpërndau dhe ja ku po i them Edi Ramës se hija e McGonigal-it do të të ndjekë deri në ditën e fundit të jetës.
Kryemagjistari i rikthimit më të madh në histori, presidentit Donald Trump e tha haptaz që është këtu për të mbështetur PD dhe Sali Berishën. Për Shqipërinë madhështore dhe aleate e mike të vërtetë të SHBA-ve”, tha Berisha.