
Saktësisht 15.9 për qind e të anketuarve e lidhin largimin me nivelin e ulët të pagave, ndërsa të tjerët shprehin shqetësime për shëndetësinë, arsimin dhe infrastrukturën në vend. Për destinacionin, Gjermania është vendi më i preferuar, me 11.8 për qind të të anketuarve që e kanë zgjedhur atë si destinacionin kryesor për emigrim, pasuar nga Zvicra me 6.9 për qind dhe Sllovenia me 5.2 për qind
Anëmsha SHABANI
Shkup, 18 shkurt – Në një kohë kur Maqedonia e Veriut po përballet me një fenomen shqetësues, sondazhi i realizuar nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup ka nxjerrë në pah një rritje të konsiderueshme të dëshirës për migrim. Sipas këtij hulumtimi, 35.2 për qind e qytetarëve, ose çdo i treti, mendojnë të largohen nga vendi. Analizat e detajuara të sondazhit zbulojnë se grupmoshat nga 30 deri në 50 vjeç, me arsim të lartë, janë ato që tregojnë interesin më të madh për largim nga vendi. Pothuajse çdo i dyti individ i këtij grupi ka shprehur dëshirën për të kërkuar mundësi më të mira jashtë vendit.
Sipas hulumtimit, arsyet për emigrim janë të shumta, ku pagat e ulëta dhe mundësitë më të mira për fëmijët kryesojnë si faktorët më të rëndësishëm. Saktësisht 15.9 për qind e të anketuarve e lidhin largimin me nivelin e ulët të pagave, ndërsa të tjerët shprehin shqetësime për shëndetësinë, arsimin dhe infrastrukturën në vend. Për destinacionin, Gjermania është vendi më i preferuar, me 11.8 për qind të të anketuarve që e kanë zgjedhur atë si destinacionin kryesor për emigrim, pasuar nga Zvicra me 6.9 për qind dhe Sllovenia me 5.2 për qind.
Një pjesë e madhe e qytetarëve, deri në 64.9 për qind, tregojnë se kanë një të afërm që tashmë është shpërngulur jashtë vendit. Ky fenomen është i lidhur ngushtë me bindjen e madhe të qytetarëve se emigrimi është në rritje krahasuar me vitet e mëparshme, me 70 për qind të të anketuarve që besojnë se niveli i emigracionit është rritur gjatë pesë viteve të fundit. Në këtë kuadër, një tjetër aspekt që përforcon këtë shqetësim është fakti se 10 për qind e të anketuarve thanë se janë të vendosur të largohen nga vendi brenda pesë viteve të ardhshme.
Ndërkohë, aktivisti rinor Qani Bajrami, ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me rritjen e emigrimit, duke shprehur pakënaqësi ndaj partive shqiptare në pushtet për demoralizimin e rinisë. Ai ka theksuar se kjo situatë është një pasqyrim i dështimit të institucioneve dhe pushtetit shqiptarë në Qeveri për t’u dhënë mundësi rinisë dhe për t’i hapur dyer institucioneve për të kontribuar në zhvillimin e vendit. “Ky sondazh tregon një realitet të hidhur për të rinjtë, të cilët po ndjehen të braktisur nga shteti dhe nga institucionet e tij. Kur rinia mendon se nuk do të ketë mundësi as në nivelin më bazik të karrierës, kur ata ndihen të dëshpëruar nga mungesa e mundësive, natyrisht që do të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit. Pushteti i tanishëm ka dështuar në krijimin e kushteve që të rinjtë të ndihen të lidhur me vendin dhe të kontribuojnë në zhvillimin e tij. Kështu duke dëgjuar çdo ditë të reja nga shkarkimet e shqiptarëve, ata ndihet të shpërfillur dhe të harruar”, theksoi Bajrami, duke apeluar për një ndryshim të politikave dhe rritjen e vetëdijes në lidhje me këtë fenomen shqetësues.
Ndër të tjera, hulumtimi “Detektor” është realizuar nga Instituti për hulumtime politike në Shkup me anketë telefonike nga data 24 deri më 26 janar të këtij viti prej gjithsej 1.033 të anketuarve nga i gjithë vendi. (koha.mk)