
Partizani u trondit nga Bylisi në shtëpi, pasi humbi me rezultatin 2-3 dhe pse ishte fillimisht në avantazhin e dy golave.
Pas ndeshjes foli trajneri i ballshiotëve, Gentian Mezani.
“Realisht kemi ardhur me besimin për të marrë pikë, por pa humbur besimin dhe për ta fituar ndeshjen në nisje. Kur shkuam 2-0, mendova e humbur. Gjatë gjithë kohës i kërkoja skuadrës të dalim para, shikoja Partizanin në vështirësi kur sulmohej, vuante presionin. Dhe ndaj Egnatias patën vështirësi dhe lodhje fizike në pjesën e dytë. Kur shkuam barazim, e pashë që nuk kishin forcë për të goditur. I kërkoja përsëri çunave të sulmonin. Mendoj kjo ishte ndeshje e mirë, me shumë gabime për të përmirësuar nga ana jonë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Janë 3 pikë të mira se kundër Partizanit, duhet t’i mbajmë çunat me këmbë në tokë dhe të kuptojnë se është kampionat i gjatë dhe nuk ka mbaruar asgjë.
Mahmuti nuk po orientohej dot, kishte probleme dhe me shikimin, me dritat. Darkon e pashë në vështirësi se gaboi te goli i parë dhe po ndjente pak presionin, kjo ishte arsyeja përse bëra të dyja ndërrimet në pjesën e parë.
Dua gjithë kohës të sulmoj dhe ta fitoj ndeshjen. Mora shkas nga ndeshja e Partizanit me Egnatian, dhe e jona ndaj Elbasanit. Partizani ishte në vështirësi në të dyja pjesët me Egnatian. Nëse do e prisnim, do gabonim se do ndëshkoheshim edhe më shumë. Ishte një moskordinim i mirë, gabuan pozicionet te goli. Dhe Darko që mund ta largonte shumë thjesht, dy gola që në thonjëza i falëm, por dhe me meritë të Partizanit. Ne kemi nevojë për pikë. Isha skuadër sulmuese, e kisha organizuar që dhe të mbroheshim me 6 veta. Jo më kot ndërrova pozicionin mes Abazajt dhe Mahmutit. Jam i kënaqur me këtë fitore.
Ne jemi munduar gjatë kësaj periudhe, nuk mund të them kam bërë mrekulli. Që herën e kaluar duhet të falenderoja Nevilin sepse ka bërë punë të mirë, është këtu dhe falë tij. Mendoj se do të përmirësohemi, ka gabime pothuajse në të gjitha repartet dhe lojtarët. Është kohë shumë e shkurtër, por do mundohemi për të përmirësuar aty ku po gabojmë. Duke parë gabimet tona dhe lojtarët do arrijnë të përmirësohen”, u shpreh Mezani për RTSH.
PANORAMASPORT.AL
