
Drejtori i ndërmarrjes Burim Kaba, i cili është edhe njeriu i dytë i Asociacionit të ndërmarrjeve komunale në nivel të shtetit, thotë se edhe në një situatë të këtillë, vitet e fundit paguhen rrogat e punëtorëve së bashku me kontributet, gjë që nuk është bërë më parë, meqë për disa vite nuk janë pagur kontributet
Vjollca SADIKU
Dibër, 2 shkurt – Ndërmarrja komunale publike e Dibrës “Standardi” mbi dy dekada ballafaqohet me probleme materiale, të cilët i shkaktojnë probleme funksionimit të saj. Por edhe pse borxhet janë shumë të mëdha dhe xhirollogaria është e bllokuar, drejtoria realizon aktivitete, të cilët mundësojnë që ajo të mbijetojë dhe me shumë sakrifica të menaxhojë ujësjellësin e qytetit dhe të kujdeset për higjienën publike. Drejtori i ndërmarrjes Burim Kaba, i cili është edhe njeriu i dytë i Asociacionit të ndërmarrjeve komunale në nivel të shtetit, thotë se edhe në një situatë të këtillë, vitet e fundit paguhen rrogat e punëtorëve së bashku me kontributet, gjë që nuk është bërë më parë, meqë për disa vite nuk janë pagur kontributet.
Kaba për gazetën KOHA thotë se aktualisht borxhet nga ndërmarrjet dhe institucioneve tjera arrijnë mbi 2 milionë euro. “Është një problem shumë i madh, prandaj edhe gjatë viteve të kaluara, nuk janë paguar kontributet në fondet për mbrojtje shëndetësore dhe për pensionin. Por arritëm si drejtori viteve të fundit të paguajmë rroga me kontribute për të gjithë punëtorët, por ka punëtorë për të cilët vitet e kaluara nuk u janë paguar kontributet. Është një gropë shumë e madhe dhe problematike që ka të bëj me fondet”, thotë Kaba dhe shton se shpresa për tejkalimin e situatës vazhdon. Mbi 80 të punësuar në këtë ndërmarrje publike, e cila është e themeluar nga Komuna Dibër, para shumë dekadave, edhe pse ka shumë probleme materiale, me sukses furnizon Dibrën me ujë nga ujësjellësi Rosok-Dibër.
“Projektin që e realizoi Komuna Dibër në fazën e parë dha me sukses dhe ka një rritje të prurjeve të ujit për mbi 30 për qind”, thotë Kaba dhe shton se komuna aktualisht vazhdon me realizimin e projektit në fazën e dytë. Ndërmarrja me sukses menaxhon edhe deponinë e qytetit, por sipas saj, problemi me mbeturina duhet të tejkalohet tërësisht me ndërtimin të deponive rajonale që planifikohen në nivel të shtetit.
Kjo ndërmarrje edhe pse ka një xhirollogari të bllokuar por rreth 20 vite, duke shfrytëzuar disa vendime të Qeverisë qendrore që vlen edhe për ndërmarrjet e tjera simotra në vend, viteve të fundit pa probleme merr rroga nëpër banka dhe paguan kontributet. Një nga aktivitetet që jep rezultate pozitive është edhe rritja e inkasimit të faturave për ujë dhe mbeturina. Në këtë ndërmarrje thonë se nga 30 për qind, aktualisht inkasimi i faturave është dyfishuar dhe tani grumbullohen afro 60 për qind të mjeteve nga faturat që u dërgohen familjeve, firmave dhe institucioneve.
“Ekipet e ndërmarrjes në mënyrë shumë efektive si asnjëherë deri tani grumbullojnë mjetet nga faturat, që flet qarët për punën e organeve drejtuese në ndërmarrje”, thotë drejtori, i cili potencon se problemet me borxhet në të gjithë ndërmarrjet komunale në Maqedoninë e Veriut janë të njëjta. Ai shton se si zëvendës i kryetarit të Asociacionit të ndërmarrjeve komunale të RMV-së, vlerëson se Qeveria është ajo e cila duhet të ndihmojë të gjithë ndërmarrjet komunale që të paguajnë borxhet të mbetura, të cilët shtohen nga viti në vit. (koha.mk)