
Bitcoin (BTC) ra në nivelin më të ulët të 2025-ës ndërsa në orët e para të mëngjesit me orën tonë lokale u tërhoq nën 80 mijë dollarë.
Sipas të dhënave të CoinGecko aktualisht Bitcoin këmbehet me 78,487 dollarë, një rënie me 8.9 përqind në 24 orë dhe 20 përqind krahasuar me një javë më parë.
Ndërkaq kriptomonedha e dytë më e madhe në botë Ethereum (ETH) po i afrohet nivelit të 2,000 dollarëve ndërsa në këto momente që shkruajmë shitet për 2,085 dollarë, një rënie me 11.3 përqind në 24 orët e fundit dhe 24.3 përqind në 7 ditët e fundit.
“Jemi mësuar të shohim ETF-të Amerikane të blejnë Bitcoin por një gjë e tillë nuk po ndodh aktualisht. Përkundrazi po shohim dalje në nivele rekord në 7 ditët e fundit ndërsa lajmet e këqija po pasohen me më shumë lajme të këqija,” shprehej analisti i Swyftx Pav Hundal.
Likuidimet një orë më parë arritën 914 milionë dollarë ndërsa pozicionet long të Bitcoin përbënin 809 milionë dollarë ndërsa short 105 milionë dollarë. Në javën e fundit është vënë re një ndryshim i sentimentit që në të kaluarën ishte mbajtur gjallë nga inaugurimi i presidentit Amerikan Donald Trump.
Tregjet Amerikane të aksioneve S&P 500 ranë me 1.6 përqind, Dow Jones me 0.4 përqind dhe Nasdaq Composite me 2.8 përqind. Frika e nisjes së një lufte tarifash nga Trump shkaktoi një shitje masive të aksioneve teknologjike.
Besimi i investitorëve është zbehur mes shqetësimeve në rritje se Trump do të implementojë ato taksa mbi importet e huaja nga BE-ja, Meksika dhe Kanadaja – një politikë ekonomike që disa ekonomistë paralajmërojnë se mund të rrisë inflacionin.
Të tjerë thonë se taksat do të forcojnë industrinë vendase dhe të nxisë një boom ekonomik. /PCWorld Albanian