Bëmë super ndeshje, por na duhet vazhdimësi


Festival golash në “Loni Papuçiu”. Mes dyluftimeve të ashpra, tensionit të lartë, gjashtë kartonëve të verdhë si dhe luftës së ashpër sportive, Apolonia bind dhe mund Korabin në shifrat 4-2. Fierakët e nisën mirë sfidën, kaluan në avantazh me Musan në të 11-ën, ndërsa dibranët barazuan në të 15-ën me Markun.

APOLONIA KORABI

Më pas Umeijego shënoi dy gola, duke qenë protagonist absolut. Në të dytën shënoi Hebeja për fierakët dhe Treni për Korabin. Ndeshja nisi me 50 minuta vonesë dhe shkak u bë vonesa e autoambulancës. Në orën 13:40 erdhi një autoambulancë, por pas kontrollit nga delegati, u konstatua se mjeti nuk kishte pajisjet e duhura. 15 minuta më vonë, në stadium erdhi dhe një tjetër autoambulancë, por sërish nuk kishte pajisjet e duhura. Duhej të vinte një e tretë, e cila kishte gjithçka dhe loja rinisi pas 50 minutash vonesë.

PJESA E PARË – Loja nis e vrullshme nga të dyja skuadrat. Apolonia tregon cinizmin dhe në momentin e parë, pikërisht në minutën e 11-të gjen golin. Goditje dënimi në krahun e majtë, kroson Trifoni dhe Musa gjuan saktë brenda zonës, duke përcjellë topin për në rrjetë për 1-0. Kundërpërgjigjen menjëherë miqtë, që pas vetëm 4 minutash ia dalin të barazojnë falë një 11-metërshi të fituar në minutën e 15-të nga mbrojtësi Disha dhe të finalizuar nga sulmuesi Marku. Mirëpo, nuk zgjat shumë festa e miqve, pasi fierakët gjetën golin e dytë pas 7 minutash lojë. Nga mesi i fushës, Ndubuisi lëshon topin për Umejiegon. Sulmuesi shtatlartë i vetëm përballë Demës godet me parabël dhe shënon. Dy minuta më vonë, Apolonia gjen edhe golin e tretë. Sërish Umejiego, që përfiton nga një pasiguri e mbrojtjes, gjuan tokazi me të parën dhe 3-1 për fierakët. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e dyfishtë të Apolonisë.

PJESA E DYTË – Fraksioni i dytë sheh Korabin në sulm dhe më kërkues. Në momentin më të mirë të dibranëve, në minutën e 79-të, Hebeja lëshon një “predhë” nga distanca dhe shënon golin e parë personal dhe të katërtin për Apoloninë. Korabi luan pa motiv më pas, por në minutën e 92-të arrin të konkretizojë me Trenin. Pjeshka pason me të majtën dhe Treni godet saktë brenda zonës, por pa cenuar fitoren me vlera të fierakëve.

APOLONIA–KORABI 4-2

GOLAT: Musa 11’, Umejiego 22’ 24’, Hebeja 79’/ Marku 15’ (11-m), Treni 90+2’

APOLONIA: Kaçaj, Hebeja, Ndubuisi, Asllanaj, Kofi, Rakipaj (Isa 90+1), Topi, Musa (Rajmond 80’), Çulli, Trifoni (Tomas 87’), Umejiego; (Në dispozicion: Bushi, Cjapi, Idris Alaba). Trajner: Sedat Pajaziti;

KORABI: Qyrani, Kurti, Paplekaj (Shani 46’), Andoni (Sina 72’), Disha, Tola, Mziu (Peralta 72’), Zeqiri (Muça 46’), Pjeshka, Treni, Marku; (Në dispozicion: Marku, Hasaj, Reçi, Ndreu, Buçi, Lilaj). Trajner: Agim Canaj;

Kartonë të verdhë: Topi 13’, Musa 27’, Umejiego 75’/ Disha 16’, Mziu 27’, Marku 90’

Gjyqtarë: I.Myrtja (Shkodër), M.Llukmani (Vlorë), E.Ahmeti (Tiranë)

Vëzhgues: Genc Maloku (Tiranë)

Delegat: Eraldi Shera (Shijak)

 

Trajneri

Pajaziti: Bëmë super ndeshje, por na duhet vazhdimësi

Sedat Pajaziti, trajneri i Apolonisë, u prononcua pas ndeshjes për “Panorama Sport” dhe u shfaq i kënaqur për lojën e skuadrës e fitoren kundër Korabit. “Kishim qasjen e duhur në fushë, duke qenë dominues në çdo pjesë të lojës. E nisëm mirë takimin, ku shënuam tre gola të shpejtë, por edhe në pjesën e dytë ishim shumë herë më mirë se kundërshtari, ndonëse ulëm ritmin e lojës. Ishim në avantazh të dyfishtë, ruajtëm energjitë, pastaj vulosëm gjithçka dhe mendoj se kemi bërë një ndeshje të mirë. Bindëm me lojë dhe rezultat në shtëpi.

Pas dy barazimeve radhazi, ky ishte reagimi i duhur dhe më se i nevojshëm për tifozët tanë. Kishim edhe mungesa, por ato nuk janë pretekst. Ne do të synojmë fitoren, ky është objektivi në çdo ndeshje. Jemi në rrugën e duhur, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të përulur, fillimisht në stërvitje dhe sigurisht në ndeshje zyrtare. Ky kampionat është i paparashikueshëm, asgjë nuk është e sigurt, ndaj na mbetet të luftojmë dhe të ruajmë serinë e rezultateve pozitive. Duhet të kemi vazhdimësi loje dhe rezultate”, u shpreh Pajaziti.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link