
Besëlidhja vazhdon të bëjë një kampionat “më vete” në Superligën e basketbollit për meshkuj. Lezhjanët janë një makineri e pandalshme fitoresh, ndërsa dje shënuan suksesin e 14-të në po kaq javë të kampionatit.Ekipi i drejtuar nga Afrim Bilali mposhti Teutën me rezultatin 104-95 (24-31, 23-20, 27-21, 30-23), duke i salduar edhe më shumë pozitat në vendin e parë. Megjithatë, edhe pse suksesi erdhi me rezultat treshifror, Besëlidhja nuk e pati të lehtë ndaj durrsakëve. Sfida e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi” ishte e luftuar, ku meritë për këtë ka pa diskutim edhe Teuta, e cila për shumë minuta i bëri ballë lojës dhe ritmit të kampionëve, madje duke shkuar edhe në +11 pikë në mesin e periodës së dytë.
Por me kalimin e minutave, organika me e gjerë e skuadrës lezhjane nisi si zakonisht të bëjë diferencën, ndërsa durrsakët shfaqën shenja lodhjeje, pasi trajneri Nikola Milatovic nuk ka shumë zgjedhje nga pankina. Kështu Besëlidhja në periodën e tretë kompletoi përmbysjen, për ta menaxhuar më pas lojën deri në fund. Julian Hamati me 20 pikë e 8 kërcime si dhe Marcellus Garrick me 27 pikë ishin më të mirët në radhët e lezhjanëve, ndërsa si gjithnjë spikati edhe kontributi i lojtarëve të stolit, me plot 49 pikë në këtë takim. Në radhët e Teutës, i gjithë formacioni titullar e mbylli në dopioshifër pikësh, ku më të dalluarit ishin Tiras Morton me 22 pikë, 6 kërcime dhe 12 asistime si dhe Jalon Andrews, autor i 26 pikëve. Me këtë fitore Besëlidhja vazhdon ta thellojë rekordin e saj, duke e çuar në 41 numrin e triumfeve radhazi në kampionat që prej sezonit të kaluar. Me Besëlidhjen që duket e pakonkurrueshme, pjesa tjetër e kampionatit është më e ndezur se kurrë, pasi nga vendi i dytë deri tek ai i fundit, lëvizin vetëm 2 pikë.
Kamza mori një tjetër fitore shumë të rëndësishme për mbijetesën, teksa mposhti të shtunën Vllazninë në Shkodër me rezultatin 73-87 (19-21, 15-19, 14-27, 25-20). Miqtë arritën të shkonin deri në 22 pikë avantazh, për ta administruar lojën deri në fund. Pesë lojtarë të Kamzës prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa efikasitetin më të lartë e kishte kapiteni Niko Thano, autor i 16 pikëve dhe 8 kërcimeve. Për Vllazninë nuk mjafto amerikani Dy’quavis Wilkins, autor i 28 pikëve dhe i 10 kërcimeve.ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
