
Postuar: Mars 1, 2025 | 12:53
Janë luajtur dje dy ndeshje të vlefshme për javën e 17-të të kampionatit kombëtar në basketbollin e femrave, takime që nuk dhuruan asnjë surprizë, teksa Tirana dhe Teuta shënuan fitore në shtëpi.Vajzat bardheblu fituan kundër Studentit me rezultatin 70-58 (28- 8, 16-16, 15-9, 11-25). Sfida e zhvilluar në sallën “Farie Hoti” foli për Tiranën, teksa vajzat e drejtuara nga Mirza Alibegaj e bënë diferencën që në periodën e parë.
Studenti e zbuti disi humbjen, duke ngushtuar ndjeshëm në periodën e fundit, por jo aq sa për ta vendosur në dyshim suksesin e Tiranës. Myriam Lara, me 22 pikë e 9 kërcime u dallua në radhët e ekipit bardheblu. Për Studentin spikatën Marina Pëllumbi me 21 pikë dhe Megi Spahiu me 18 pikë e 8 kërcime.Fitore treshifrore për Teutën në shtëpi kundër Elbasanit me rezultatin 104-66 (35-13, 15-22, 27- 16, 27-15). Një takim pa histori, i dominuar nga ekipi durrsak. Aniylah Bryant me tripletë dyshifrore, 32 pikë, 13 kërcime dhe 13 asistime si dhe Jainaya Jones me 28 pikë, 8 kërcime dhe 7 asistime shkëlqyen në suksesin e Teutës.
Java e 17-të do të kompletohet sot me kryendeshjen Flamurtari-Partizani, në orën 13:00 në Vlorë.
PANORAMASPORT.AL
