
Vorës mori një fitore shumë të vlefshme në fushën e vështirë të Burrelit, ku fati i ndeshjes u vendos nga goli i Françesko Hasajt në minutën e 81-të. Loja pati dy tablo. Një pjesë të parë e dominuar thuajse gjatë gjithë kohës nga Vora, ndërsa e dyta ishte nën komandën e matjanëve.
Me këtë trepikësh Vora arriti që të ruajë e vetme kryesimin, duke mos e lënë Flamurtarin që t’i afrohej. E sigurt është se Burreli e mbyll fazën e dytë në vend të katërt dhe pret që të korrë benefitet e kalendarit të fazës së tretë.
Ndeshja- Vora e nis vrullshëm takimin dhe që në minutat e para e vë në vështirësi portierin Dani me anë të Dalipit. Në të 13-ën, Vrapi gjuan nga distanca, por Dani është në lartësinë e duhur. Të njëjtën gjë portieri bën edhe pas 2 minutash me Ruzgis. Minuta 20, Kasalla provon, por pa sukses për meritë të Danit. Bardhi shpërdoron një rast ideal, ku arrin t’i marrë topin nga duart portierit Dani, por vonon në gjuajtje. Burreli kujtohet të dalë në sulm vetëm në minutën e 25-të me një gjuajtje pa pretendime të Osikel. Në të 31-ën, provon Dedgjonaj nga larg, por pa shënjestrën e duhur. Në minutat e mbetura sërish e marrin epërsinë miqtë, por pa ndonjë rrezik për portën e Danit dhe në shifrat 0-0 mbyllet pjesë e parë. Fraksioni i dytë foli më shumë për vendasit që marrin në dorë frenat e lojës, ku kemi tri raste të krijuara nga kapiteni Farruku.
Vorakët reagojnë me efikasitet, ku mbrojtja me në krye Imamin u kthye në një barrikadë të pakalueshme. Paloka në të 66-ën gjuan nga larg dhe topi kalon ngjitur me shtyllën pingule të portës mike. Minuta 70, kapiteni Farruku me një inkursion personal, pasi u shmanget bukur dy mbrojtësve, kur po i drejtohej zonës së 16 metrave, pengohet nga kundërshtari. Kryesori Cjapi vazhdon lojën, ndërkohë ka kontestime nga tifozëria matjane. Aksionet e Burrelit pasojnë njëra-tjetrën, teksa Zani, Dedgjonaj, Fetaj e godasin portën nga pozicione të ndryshme, por pa rezultat. Kur pritej zhbllokimi i rezultatit nga vendasit, Vora me aksion pa shumë pretendime arrin të shënojë me Hasajn, që në të djathtë të sulmit, brenda zonës, arrin të dërgojë topin në rrjetë. Shpërthen tifozëria e Vorës, e ardhur për të mbështetur skuadrën e tyre. Minutat e mbetura, përfshi edhe ato 5 shtesës, nuk ndryshuan asgjë, ndonëse matjanët u hodhën të gjithë në sulm.
BURRELI – VORA 0-1
Goli: Hasaj ’81
BURRELI: Dani, Fetaj, Dedgjonaj (Koka 86’), Muriel, Shkalla, Helio, Osikel, Dushkaj (Sina 86’), Paloka (Xhakaj 76’), Farruku, Rrapi (Zani 71’); (Në dispozicion: Dreshaj, Hoti, Pasmaçiu, Rroku, Pjetraj, Muça). Trajner: Ditmar Bicaj
VORA: Ruçi, Ismaili, Shehi, Imami, Dalipi (Hasaj 58’) (Anenei 87’), Tabaku, Vrapi, Kasalla, Bardhi (Lika 66’), Barjamaj, Ruzgis; (Në dispozicion: Jata, Marinaj, Ntephe, Skenderi, Duka, Rushiti). Trajner: Arjan Bellaj
Kartonë të verdhë: Helio 36’, Shkalla 53’, Paloka 76’/ Shehi 59’, Hasaj 75’, Vrapi 89’, Ruçi90’, Imami 90’
Gjyqtarë: K. Cjapi (Fier), N.Rrapaj (Patos), F. Lama (Durrës)
Vëzhgues: Dritan Salaj (Shkodër)
Delegat: Dritan Kadia (Tiranë)
Vorakët
Bellai: Fitorja na mban në krye, përgëzoj lojtarët
Vora mori një fitore karakteri në një transfertë të vështirë, si ajo e Burrelit. Trajneri Ardian Bellaj, pas ndeshjes për “Panorama Sport” u shpreh: “I përgëzoj lojtarët për luftën e fortë sportive që zhvilluan dhe që mundën t’i bënin ballë një ekipi të fortë si Burreli. I komplimentoj matjanët për lojën që zhvilluan, ku na vunë në vështirësi. Në këtë ndeshje ishim me shumë fat, pasi arritëm të fitonim duke shfrytëzuar momentet që na u krijuan. Kemi marrë tri pikë shumë të vlefshme, që na mbajnë përsëri në krye dhe besoj që do të jemi ne të parët në fund të kësaj faze. Ndërsa për më tej, objektivi ynë dihet. Synojmë Superioren me daljen direkt, por ka ende kohë për një gjë të tillë. Do t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës, duke i vlerësuar të gjitha si finale. T’i gëzohemi kësaj fitoreje dhe nga e hëna fillojmë dhe mendojmë për ndeshjen e radhës”.
Trajneri
Bicaj: Barazimi do të ishte rezultati më i drejtë i takimit
Burreli ka harruar që të bëjë dy suksese radhazi dhe kjo luhatje e matjanëve u vërejt edhe dje në fushën e tij, ku u mundën nga kryesuesit e Kategorisë së Parë, Vora. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për “Panorama Sport”, trajneri Ditmar Bicaj pohoi se barazimi ishte rezultati më i drejtë dhe matjanët nuk e meritonin humbjen. Sipas tij, futbolli të godet atëherë kur nuk e pret. “Më vjen keq që e humbëm këtë ndeshje, rezultati më i drejtë i së cilës do të ishte barazimi. U mundëm vetëm nga një episod dhe moment mospërqendrimi, por futbolli kështu e ka. Goditesh atëherë kur nuk e pret. Pavarësisht nga kjo, jam i kënaqur nga loja dhe i përgëzoj çunat për çfarë dhanë në fushën e lojës. Duhet të mos dekurajohemi, por të shohim përpara dhe të mbrojmë vendin që kemi, pasi kampionati është i gjatë”, u shpreh trajneri Bicaj pas ndeshjes për gazetën.
MARTIN DEDAJ- PANORAMASPORT.AL
