
Debati për stemën, himnin dhe ndryshimin e 20 përqindshit në Kushtetutë, janë vetëm tema alibi dhe kurth në të cilin opozita shqiptare nuk duhet të bie, kështu vlerëson avokati i inovacionit dixhital dhe njohësi i çështjeve politike, Suad Saliu.
Ai në reagimin e tij në Facebook, shkruan se ky debat i krijuar së fundmi po bëhet me shkas për relativizimin e opinionit publik ndaj veprimeve të mëparshme nga qeveria aktuale, pasi siç thotë ai, koalicioni shqiptar në qeveri nuk po ka fuqi që të mbrojë e as të përparojë çështjet kombëtare në RMV.
Reagimi i plotë:
APELOJ TEK OPOZITA SHQIPTARE:
që të mos bjerë në kurthin e debatit për ndryshimin e emblemës shtetërore (dhe gjoja, bashkë me të, edhe të himnit apo “futjes” së gjuhës shqipe në Kushtetutë). Hedhja e kësaj “teme të madhe” ka për qëllim vetëm të mbulojë degradimin e pritur të ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe t’u japë një alibi atyre që kanë rënë dakord me një ndryshim të tillë.
Në mars, Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë një iniciativë që synon ta gjymtojë/zhbëjë ligjin për përdorimin e gjuhëve, pra edhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Ky debat shërben për të relativizuar dhe hutuar opinionin publik shqiptar, duke lënë të kuptohet se pas 6–9 muajsh mund të ndryshohet edhe himni, ose të futet gjuha shqipe në Kushtetutë si gjuhë e mirëfilltë, e jo thjesht si një gjuhë e folur nga 20% e popullsisë.
Kjo është në vazhdën e përpjekjeve për ta relativizuar këtë degradim, ashtu siç ndodhi disa muaj më parë, ku u përfshi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Një strategji e tillë u përdor edhe me zhbërjen e të drejtës së deklarimit të etnisë gjatë punësimit, me të edhe të mekanizmit të “balanserit”, gjoja se do sjellin një ligj për përfaqësim të drejtë. Nga ai ligj nuk ka asnjë gjurmë sot e kësaj dite!
E vërteta është se koalicioni aktual shqiptar në qeveri nuk ka “takat” për të përparuar në këto çështje kombëtare; dhe vëmendja e tyre duket se është përqendruar vetëm tek zgjedhjet e ardhshme lokale.
Do të isha shumë i lumtur po të na dëshmonin të kundërtën.(Tvklan.mk)