
Presidenti i Teutës, Arqile Gorea, vijon të kontestojë mënyrën e funksionimit të basketbollit në Shqipëri.Teksa komenton për “Panorama Sport” ndeshjet e fundit të ekipit të tij, Gorea ka hedhur akuza të forta në drejtim të Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe presidentit të saj Avni Ponari. Kreu i Teutës ka pretendime të mëdha për arbitrimet, që sipas tij trukojë rezultatet e ndeshjeve dhe se i kanë penalizuar durrsakët. Gorea akuzon drejtpërdrejtë Ponarin, duke i kërkuar që të largohet nga FSHB-ja.
Gorea, ndonëse zhvilluat një ndeshje të mirë për shumë minuta, sërish në fund nuk ja dolët ndaj besëlidhjes. Si do ta komentoni këtë takim?
Faktikisht duhet përmendur që aktualisht Besëlidhja ka një ekip shumë të mirë dhe të kompletuar. Nuk dua të futem në komente nga vjen kjo performancë, por Besëlidhja ka vërtetë një ekip të mirë. Të them të drejtën kur shkoja ndeshjen e fundit, më dukej sikur luante Teuta A me Teutën B, sepse 5-6 lojtarë të Besëlidhjes kanë qenë pjesë e Teutës. Dua që t’i falënderoj djemtë e Besëlidhjes, pasi luajtën më shpirt, por dua të falënderoj shumë më tepër lojtarët e Teutës, të cilët në kuadrin e shumë pamundësive e menaxhuan situatën deri në periodën e tretë. Por siç ndodh vazhdimisht në habitatin e kampionatit të basketbollit, janë prezentë edhe çudirat, të cilat në përgjithësi janë çudira erëkeqe.
Më konkretisht, cilat janë këto çudira sipas jush?
Kuptohet që kompletimin e Besëlidhjes nuk e ka asnjë ekip tjetër, pasi ata kanë 2 apo 3 skuadra. Dihet që ne ekipet e tjera, jemi në pamundësi financiare dhe duke qenë në këto kushte luajmë me një pakicë lojtarësh. Kështu që kuptohet pika e dobët e jona, të cilën e njohin mirë edhe te të mësuarit dhe të pamësuarit e federatës. Sigurisht që nuk mund t’i kategorizoj që të gjithë si pjesë e “zhulit”, por nuk mund të rrijë pa përmendur gjyqtarin Fatjon Malevi dhe ndonjë tjetër që kërkojnë të bëjnë karrierë duke u tallur me mundin, djersën, sakrificat dhe ekonominë e ekipeve. Nuk është rastësi që në disa ndeshjes radhazi i njëjti personazh i papërgjegjshëm na penalizon me gjykimet e tij. Një arbitër që shkon nën shembullin e disa paraardhësve të tij, të penalizuar për trukim ndeshjesh. Të qenurit ushtarë të bindur dhe palaço të regjive të kurdisura nga jashtë fushës së basketbollit, marrin me plagjiaturë më pas edhe tituj, sepse kjo është e keqja e federatës tonë. Unë kam gjithë këto vite që flas për arbitrimin, flas për pavarësinë e arbitrimit, e cila është njësoj si pavarësia e gjyqësorit. Por ku ta gjesh këtu pavarësinë e arbitrimit?! Te zgjedhja që federata u bën kandidatëve për arbitra?! Që kullot nëpër habitate duke gjetur njerëz që kanë qenë nxënës të këqij dhe pa shkollë, duke i ftuar që t’u bashkohen kampionateve të basketbollit, sepse ata do të ndriçojnë padrejtësitë. Ky është njëlloj bajraktarizmi që duhet të qërohet nga federata.
Keni humbur disa ndeshje radhazi në minutat e fundit…
Teuta ka humbur katër ndeshje me nga 1 pikë dhe skenari ka qenë i njëjtë, duke u goditur me personale lojtarët tanë, ndërsa kundërshtarit i rekomandohet që të bëhet lojë e fortë. Në këtë situatë ne mbetem gjithnjë mangët me lojtarë, pra goditemi në pikën e dobët. Pra kemi të bëjmë me një spektakël anti-sportiv, që në vend që t’i dhurojë kënaqësi publikut, taksapaguesve dhe këtyre njerëzve që sakrifikojnë, u jep kënaqësi njerëzve me vese. Basketbolli është sport i ndërtuar nga njerëz pasionantë, me karakter, intelektualë, të cilët kanë vënë rininë, dijet dhe habitatin e tyre familjar për t’i dhënë rezultate këtij sporti. Por e keqja është që kjo mbetet një kujtesë e harruar sepse bajraktari i federatës së basketbollit, i cili mendon se e ka bahçen e kopshtit të tij dhe mund ta mbjellë me kastravecë e patëllxhanë si t’i dojë qejfi, pra të zgjedhë njerëz që t’i shërbejnë atij. Pra kërkon që të ndërtojë një ekip skllevërish që të jenë të bindur me iniciativën e tij për trukimin e ndeshjeve dhe për shkatërrimin e imazhit të basketbollit, që për hir të së vërtetës kurrë nuk ka qenë më poshtë se këto nivele. Në kohët shikojmë njerëz që nuk kanë lexuar një libër në jetën e tyre dhe kërkojnë që të bëhen të njohur nëpërmjet bëmave dhe gjëmave që po i shkaktojnë basketbollit, kjo është e papranueshme.
Si mendoni që rregullohen këto shqetësime që ju ngrini?
Kjo situatë rregullohet me largimin urgjentisht nga federata të Avni Ponarit, sepse ndryshkja e tij në të njëjtin pozicion nuk ka prodhuar gjë tjetër përveçse interesa meskine, duke bërë që kampionatet e basketbollit të kthehen në kampionate interesave të bizneseve të tij personale. Gjithashtu edhe interesa të tjera, të cilat unë në një të ardhme të afërt ndoshta do t’i përmend dhe që kanë të bëjnë me konflikt interesash dhe shkelje ligjore. Nuk duhet të harrojmë për asnjë çast që FSHB është ende e pa miratuar në gjykatë. Ndërsa presidenti sillet si beu i federatës, cakton dhe shkarkon ekipin e skllevërve dhe kërkon që të ruajë statukuonë. Apeli im është që ky njeri duhet të largohet nga federata, pasi federata ka edhe njerëz të mirë, të ardhur me eksperienca. Nuk e kuptoj pse duhet të mbahet me thonj pas federatës, cilat janë interesat? Bëri edhe emër duke shfrytëzuar basketbollin, nuk duhet lejuar më që të vazhdojë duke e mbytur këtë sport. Ponari duhet të largohet nga basketbolli dhe t’i hapë rrugën brezit të ri dhe elementëve që plotësojnë kushtet e një sporti intelektual, të njerëzve që duan basketbollin, këtë sport kaq të bukur dhe intelektual. Këtu ka një problem shumë të madh, pasi presidenti i federatës e di shumë mirë që ekipet nuk kanë marrë rrogat prej muajsh, por nuk ka marrë ndonjëherë iniciativë për të marrë ndonjë kontakt me burimet e financimit. Përkundrazi, ai ka problem të madh projektet që mund të zhvillojë Qeveria Shqiptare për të kapur siguracionet për kompaninë e tij. Ai ka problem emrat e kampionateve dhe të aktiviteteve që t’i bëjë reklamë bizneseve të tij. Duhet ta lërë basketbollin që të ecë në traditën e tij, të kthehen ikonat e basketbollit në shtëpinë e tyre dhe të largohen të pamerituarit dhe fytyrat e mpira të interesaxhinjve që i vijnë rrotull.ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
