ASK ende pa zëvendësdrejtor shqiptar! VLEN-i ende nuk ka emër për resorin që i takon


Agjencia për Siguri Kombëtare vazhdon të mbetet pa një shqiptar në post udhëheqës. Sipas ujdisë ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, është paraparë që posti i zëvendësdrejtorit të ASK-së t’i takojë VLEN-it, përkatësisht Alternativës. Po kryeministri Hristijan Mickoski thotë se asnjë post nuk është i rezervuar për askënd, duke shtuar se së shpejti do të ketë një emërim të ri.

“Askujt asgjë nuk i takon! Kjo nuk është qeveri me parimin se kujt çfarë i takon. Kjo është qeveri, me të cilën e kemi patjetër të mbajmë llogari se si do ta ndërtojmë ardhmërinë e përbashkët për të gjithë qytetarët. Pa dallim të përkatësisë etnike apo politike, fetare e kështu me radhë. Për çfarë nuk ka? Të jem i sinqertë për këtë pyetje që më bëtë nuk e kam menduar. Por, ja që tani do të filloj të mendoj dhe do të ju përgjigjem në konferencat e ardhshme për shtyp për këtë çështje”, tha Mickoski..

Kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, i pyetur rreth vonesave në emërimin e zëvendësdrejtorit në ASK në DailyClick, tha se zgjedhja e një posti drejtues në ASK nuk është procedurë e lehtë. Tregoi se kanë disa emra të propozuar si në postin e zv/drejtorit të ASK-së dhe në vendet tjera vakante, por në rast kur nuk i plotësojnë kushtet, zëvendësohen me të tjerë apo shpërndahen në pozitat të tjera.

“Te Agjencia për Siguri Kombëtare ka filtra vendor por edhe ndërkombëtar që për çdo kandidat të propozuar duhet të ketë një miratim. Duke qenë anëtarë të NATO-s për eksponent të lartë të sigurisë duhet të jenë të përshtatshëm edhe për sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s. Andaj, akoma nuk është gjetur personi i duhur për ta marrë atë vendim”, tha Ibrahimi.(Tv21)



Source link