
Barazimi me Erzenin e vendit të fundit “djeg”, por Apolonia duhet të ngrejë kokën dhe të reagojë ndaj Pogradecit. Kjo shihet si e vetmja mënyrë për të harruar barazimin në Shijak. Fierakët i pret një ndeshje e vështirë të shtunën, por nga ana tjetër edhe dëmtimet janë kthyer në një “hall” të madh.
Së fundmi, është Omer Repaj ai që shqetëson trajnerin Sedat Pajaziti. Mbrojtësi vijon të ketë shqetësime në gjurin e majtë. Kontrolli i fundit, i bërë dje, nuk ka rezultuar shumë efikas sa i përket riaftësimit. Burimet pranë klubit pohojnë për “Panorama Sport” se mbrojtësi Repaj do të qëndrojë jashtë fushave të paktën edhe për dy javë të tjera. Ky ishte verdikti i rezonancës së fundit të kryer nga shkodrani. Ndërsa sulmuesi dhe golashënuesi më i mirë i skuadrës me 9 gola, Erald Maksuti, i cili mungon prej disa javësh, ka rifilluar stërvitjen. Ai ende nuk është në gjendje të bëjë stërvitje me ngarkesë të plotë dhe rrjedhimisht mbetet jo i gatshëm për ndeshjen e radhës.
Këto dy mungesa të sigurta, Pajazitit i shtohen “dhimbjet e kokës”, por trajneri shpreson shumë se deri ditën e ndeshjes të paktën të ketë në formë optimale liderin e mesfushës, Abjel Bejzade. Ai luajti 45 minuta ndaj Erzenit, për shkak të temperaturës së lartë, ndërsa ndaj Pogradecit shpresohet të startojë nga minuta e parë dhe të marrë në dorë “çelësat” e mesfushës së Apolonisë. Do të ishte një rikthim i rëndësishëm, pikërisht në një nga ndeshjet më delikate të sezonit, që premton të jetë e luftuar deri në sekondën e fundit.
Megjithatë, Pajaziti ka një ngushëllim, pasi në këtë sfidë do të ketë në dispozicion Robin Kane Hney, i cili është dhe afrimi i parë i fierakëve në merkaton e janarit. Kane është një lojtar i shpejtë, i cili i jep tjetër ritëm ofensivës, së bashku me pjesën tjetër, çka do të thotë se Pajaziti mund të jetë pak më i qetë. Kane njihet si një sulmues premtues, që, përveç shpejtësisë, është dhe “gjahtar” goli, i cili mund të luajë shumë mirë kudo, si dhe mund të bëjë çdo detyrë tjetër që kërkon trajneri.
Hilmi Saliu-PANORAMASPORT.AL
