
Takimi i luajtur të shtunën në “Loni Papuçiu”, i vlefshëm për javën e 22-të të Kategorisë së Parë midis Apolonisë dhe Pogradecit u mbyll në shifrat 0-0. Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të vakët, pasi pak tifozë ishin në stadium.
Ndryshe ishte atmosfera në fushë, ku ndeshja ishte e luftuar nga fillimi në fund, me raste të shumta, kartonë të verdhë dhe të kuq, nervozizëm mes lojtarëve dhe një mori rastesh të shpërdoruara. Të dy ekipet këmbëngulën për fitoren, por pogradecarët edhe me barazimin janë të kënaqur, pasi ruajtën vendin e pestë në renditje. Fazën e tretë të dy ekipet e nisin përballë njëra-tjetrës, por kësaj here në Pogradec.
NDESHJA- Goditja e parë u regjistrua nga Pius në të 9-ën, por sulmuesi Pius nuk finalizon si duhet krosin e Zguros. Në të 16-tën, Zguro godet nga distanca, por reagon portieri Kaçaj. Loja e liqenorëve erdhi duke u ngritur dhe në minutën e 25-të, Pius me kokë vendosi në vështirësi portierin Kaçaj. Miqtë dominojnë në lojë, ndërsa fierakët mundohen të jenë të kujdesshëm në prapavijë duke lënë para vetëm Umejiegon. Apolonia bëhet konkrete në të 35-ën, ku Hebeja pason për Umejiegon, i cili driblon Lilën, godet fort me të djathtën, por portieri Staniç bën heroin.
Në fundin e kësaj pjese, nuk mungoi as tensioni mes lojtarëve dhe stafeve. Shkak u bë një gjuajtje e fortë e topit nga sulmuesi Umejiego drejt pankinës pogradecare. Miqtë u “irrituan” dhe hynë të gjithë në fushë, por ai që reagoi më keq ishte Silvio Vokrri. Mbrojtësi ndëshkua me karton të kuq në pankinë, si pasojë e disa fjalëve të thëna kundrejt anësorit Shkreta. Ndërsa Umejiego u ndëshkua vetëm me karton të verdhë. Loja rinisi pas 4 minutash. Fraksioni i dytë nis mirë për Apoloninë, që është më kërkuese dhe më agresive në sulm, por rastet e krijuar nga Umejiego, Kofi, Rakipaj, Bejzade dhe Trifoninuk finalizohen. Kështu që takimi u mbyll në shifrat 0-0.
Pajaziti- Trajneri Sedat Pajaziti ka qenë i pezulluar, por pas ndeshjes u shpreh: “Mentaliteti im është të fitojmë çdo ndeshje. Më duhet ta pranoj që kemi bërë një pjesë të parë të dobët, ku ishim të ngathët në manovrën sulmuese. Ndërsa pjesa e dytë ishte më e mirë, patëm raste shënimi, por nuk kishim shënjestër. Rezultati i bardhë na bëri të humbasim qetësinë në finalizim”.
APOLONIA-POGRADECI 0-0
Apolonia: Kaçaj, Hebeja, Ndubuisi, Asllanaj, Kofi, Rakipaj, Topi, Bejzade, Jakubu (Kane 56’), Trifoni, Umejiego. (Në dispozicion: Bushi, Rajmond, Idriz, Musa, Çulli). Trajner: Rudin Nako
Pogradeci: Staniç, Pengu, Lila, Ivani, Zguro, Danladi, Raza, Kasmollari, Shkulaku (Hasaj 65’), Alidema (Fejzulla 87’), Pius (Beçka 82’). (Në dispozicion: Baçi, Hysenllari, Samake, Vokrri). Trajner: Ardian Mema
Kartonë të verdhë: Umejiego 40’ / Beçka 85’
Karton i kuq: Vokrri 43’ (pankinë)
Gjyqtarë: A.Beqiraj, A.Shkreta (Tiranë), M. Llukmani (Vlorë)
Delegat: Erald Shera (Shijak)
Vëzhgues: Simon Qurku (Sarandë)
Mema: Ekipi ka vazhdimësi
Trajneri i Pogradecit, Ardian Mema, pas barazimit në Fier, për “Panorama Sport” u shpreh: “Të them të drejtën jam i kënaqur për faktin se ekipi ka pasur dhe vijon të ketë ecuri pozitive dhe vazhdimësi rezultatesh. Ndaj Apolonisë, ruajtëm paraqitjen e javëve të fundit, që ka qenë në lartësinë e duhur, ku ke i marrë pikë me vlera si brenda dhe jashtë fushe. Apolonia na vuri shumë herë në vështirësi, e kjo ka të bëjë edhe me faktin e të luajturit në transfertë”.
HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
