
Çmimet e produkteve ushqimore kohëve të fundit kanë vazhduar të lëvizin vetëm në një drejtim, lart.
Për këtë arsye, BIRN analizoi dy zinxhirë marketesh – një që konsiderohet më i lirë dhe një tjetër më i shtrenjtë – për të përcaktuar se sa në të vërtetë janë rritur çmimet e produkteve ndërmjet viteve 2021 dhe 2024.
Për ta bërë analizën BIRN ka mbushur një shportë me 10 produkte nga marketi më i lirë për të parë dallimet. Ka blerë një kilogram fileto pule të freskët, lëng portokalli të freskët, një shishe verë nga një markë e lirë, një paketim me 16 role letër higjienike, 500 gram ullinj, bukë të bardhë, 200 gram kafe turke, patate, kos dhe gjysmë kilogrami djathë lope.
Para tre vitesh, kjo shportë do të na kushtonte 1,224 denarë. Sot, e njëjta shportë kushton 1,630 denarë, ose është shtrenjtuar për 406 denarë.
Përveç bukës, çmimi i së cilës është ulur me 15%, gjithçka tjetër në këtë shportë është shtrenjtuar. Rritjen më të madhe të çmimit e kanë letra higjienike me 38% dhe djathi me 52%.(TV21)