
Me iniciativë të ambasadorit shqiptar në vendin tonë, Denoin Meidani, për vizitë joformale në komunën e Dibrës qëndruan ambasadorët e Spnajës, Rafael Sorijano Ortiz, Çekisë, Jaroslav Ludva, Italisë, Paolo Palminteri dhe ai i Hungarisë, Andrash Klain.
“Qëllimi im ishte që ata të njihen me Dibrën dhe të shqyrtojnë mundësitë se ku mund të ndihmojnë. Një falënderim i madh kryetarit Hekuran Duka për takimin e përzemërt”, tha shkurt Meidani.
Duka shprehu mirënjohje për vizitën, i cili, siç tha, i njoftoi të ftuarit me karakteristikat kryesore të komunës, bashkëjetesën e banorëve nga disa kombësi, ndërsa diskutuan dhe rreth mundësive për investim.
“Është nder që diplomatë të një niveli kaq të lartë treguan interesim për qytetin tonë dhe e vizituan sot, që deri tani nuk ka ndodhur dhe e gjitha kjo falë iniciativës së ambasadorit Meidani. Biseduam për zhvillimin ekonomik, me ç’rast thash se shohim perspektiva të reja me funksionimin e plotë të autostradës ‘Rruga e Arbrit’. Do të vazhdojmë të promovojmë Dibrën përmes bashkëpunimit me miqtë tanë në BE dhe SHBA”, tha Duka.
Ambasadori spanjoll Ortiz deklaroi se sot ka mësuar shumë gjëra për Dibrën, veçanërisht për marrëdhëniet e mira ndëretnike.
Ambasadori hungarez Klain tha se kryetari i komunës Duka e njohu me projektet e marra nëpërmjet Qeverisë nga kredia hungareze dhe theksoi se bashkëpunimi i mirë mes dy vendeve do të vazhdojë.
Ambasadorët, të cilët ishin të shoqëruar dhe nga Musa Xhaferi, në kuadër të vizitës në Dibër, kanë vizituar edhe muzeun etnologjik në qytet.