
Akademikë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) sot në hapësirat e Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale e prezantuan Projekt-strategjinë e re për kërkime gjeologjike dhe shfrytëzim të qëndrueshëm të resurseve minerale për periudhën 2025-2045, e cila është në fazën përfundimtare të përgatitjes, pas së cilës do të vijojë një debat publik dhe miratimi i saj nga ana e Qeverisë, informojnë nga Ministria.
Strategjia, siç theksojnë, synon të përcaktojë shtrirjen dhe mënyrën e realizimit të kërkimeve bazë gjeologjike, si dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm dhe nevojat për shfrytëzimin e burimeve minerale që janë me rëndësi vendimtare për zhvillimin e ekonomisë. Dokumenti elaboron në mënyrë të detajuar përdorimin dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore në 20 vitet e ardhshme, me mbrojtjen maksimale të veçorive natyrore të mjedisit jetësor dhe të shëndetit të njeriut duke përdorur teknologjitë, praktikat dhe njohuritë më moderne inteligjente të aplikuara në vendet më të zhvilluara të botës.
Ministrja Sanja Bozhinovska theksoi rëndësinë e kësaj strategjie për zhvillimin ekonomik të vendit, duke theksuar se menaxhimi i qëndrueshëm i resurseve minerale është thelbësor për pavarësinë energjetike dhe përparimin industrial. Ajo falënderoi ASHAM-in për kontributin e dhënë në përgatitjen e këtij dokumenti strategjik”, kumtuan nga Ministria.
Akademik Blazho Boev, siç thuhet në kumtesën, theksoi se strategjia është rezultat i hulumtimit dhe analizës së thellë, në mënyrë që të sigurohet një qasje e balancuar ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit. Dr. Aleksandar Dedinec nga ASHAM shtoi se dokumenti është në përputhje me trendet dhe standardet botërore dhe se zbatimi i tij do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve