Abdixhiku: Lipjanit do t’i sigurohet kyçja në autostradë të Gjilanit


Lidhja Demokratike e Kosovës në javën e fundit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit ka vazhduar me tubimin në Lipjan. Kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, tha se do të shtrojnë rrugën përpara drejt një Kosove anëtare e NATO-s, BE-së dhe me miqësi të përhershme me Shtete e Bashkuara.

Abdixhiku, është zotuar para përkrahësve në këtë komunë, se Lipjanit do t’i sigurohet kyçja në autostradë të Gjilanit, ka premtuar 4 çerdhe në katër fshatra të Lipjanit, derisa ka thënë se Lipjani do të shndërrohet në një udhëkryq energjetik, me linjën e re të gazit amerikan.

“Mbi të gjitha zotohem para jush se me linjën e re të gazit amerikan nga Shkupi nëpër Ferizaj e Lipjan, deri në Prishtinë e Mitrovicë, qyteti juaj do të shndërrohet në një udhëkryq energjetik, ku mund të sigurojnë ngrohjen qendrore. Plot 120 milion euro të investuara në linjën e gazit amerikan”, tha Abdixhiku.

Tutje, ai ka ripërsëritur premtimin për rritje pagash për mësues, mjek, policë, ushtarë, zjarrfikës e të tjerë, rritje  pensionesh e barna falas për pensionistët.

Ndërkaq, kandidati për deputet nga kjo komunë, Imri Ahmeti, tha se Kosova ka shpresë, sepse sipas tij, e ka Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai tha se LDK-ja është garancia e vetme për Kosovën e për t’i dhënë vendit drejtimin e merituar në krye me, Lumir Abdixhikun.



Source link