
Vora sot do të zhvillojë takimin e 25-të sezonal dhe ndaj një kundërshtari si Kukësi do të kërkojë suksesin e 20-të.Ky takim do të zhvillohet në stadiumin e Vorës në orën 14:00. Futbollisti më me përvojë është qendërmbrojtësi i majtë i Vorës, Eni Imami, i cili foli për sfidën e radhës në kampionat.
Ju keni një karrierë të gjatë në futbollin shqiptar…
Kjo tregon se tani po i vjen fundi karrierës. Dhe nostalgjia më çon më shumë te kundërshtari i radhës, që Vora do të ketë këtë të shtunë, pra, te Kukësi.
Ju keni luajtur tri sezone radhazi në skuadrën verilindore…
Te Kukësi kam kaluar tri vite të bukura. Kam nostalgji. Nëse arrita të bëj karrierë në futbollin shqiptar, kjo është vetëm falë Kukësit. Atje m’u dha mundësia që të luaja futboll, të tregoja veten. Aty fitova çdo gjë në kampionatin shqiptar. Kështu që, përveç keqardhjes që kjo skuadër tani diskuton mbijetesën, nuk kam çfarë të shtoj tjetër vetëm se të ringrihen, por, pas ndeshjes me Vorën.
A e mendonit se Kukësi do të ishte në këto pozita kaq delikate?
Të them të drejtën, që kur u ndryshua presidenca, e mendoja disi se Kukësi do të kishte këto vështirësi. Por se do të ishte në këto pozita, të diskutojë mbijetesën, kurrë nuk do ta besoja.
Si e parashikoni përballjen mes Vorës dhe Kukësit?
Tani jemi në një fazë të kampionatit që pretendojmë për vendin e parë. Prej kaq kohësh mbajmë kreun dhe përballë një rivali si Kukësi sigurisht që do të pretendojmë, pasi ende ne nuk jemi në pozitat e duhura. Gjithashtu, mendoj se edhe për skuadrën e Kukësit ky është momenti i gabuar
A ka ndonjë mundësi Vora të tolerojë në këtë ndeshje?
Jo nuk ka asnjë shans. Ky nuk ekziston fare si opsion, sepse ne kemi qëllimet tona. Kemi objektiva të tjera. Jeta vazhdon. Unë dua të shpallem kampion me Vorën, pasi fitimi i këtij titulli, do të më mbetet në histori. Ashtu siç kam mbetur në histori edhe te Kukësi, si i pari që kam fituar kampionatin. A. DUSHKU
Kukësi shpreson që barazimi dhe paraqitja pozitive me Flamurtarin javën që lamë pas të mos jetë thjesht një rastësi dhe rast i izoluar.
Në kampin verilindor synojnë që të njëjtën gjë të përsërisin edhe me Vorën ditën e sotme, edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje transferte. Gjatë gjithë javës, tekniku Alfred Allamani ka dhënë direktivat e tij për lojtarët, duke bërë gati edhe mënyrën se si do të luajnë. Duke ditur diferencat që kanë në kualitete, trajneri shpreson që skuadra e tij të arrijë të shfrytëzojë mundësitë që do t’i lërë kundërshtari për të përfituar. Synimi kryesor është mbajtja sa më larg portës të rivalëve të sotëm, me një mbrojtje të ngjeshur dhe aplikimin e kundërsulmit, si mënyrën më të mirë për të dalë me një rezultat pozitiv. Nëse Kukësi del me një barazim në këtë përballje, do të shihej si një bonus në pikë dhe moral, duke qenë se në ndeshjet e mbetura ka sfida me rivalë direkt. Sakaq, blutë do të kenë mungesën e portierit Amarildo Dervishaj për këtë ndeshje, pasi ka mbushur numrin e kartonëve të verdhë dhe do t’i duhet të bëjë një javë stop. Në dyshim është edhe kapiteni Redon Dragoshi, me mbrojtësin që pësoi një dëmtim para ndeshjes me Flamurtarin dhe mbetet për t’u parë nëse klubi do të rrezikojë sot apo do ta ruajë për sfidat në vazhdim. VLADIMIR MEMAPANORAMASPORT.AL
