
Motori i kërkimit AI Perplexity tha se është duke zhvilluar shfletuesin e saj. Përmes një postimi në rrjetin social X ditën e Hënë, kompania lançoi një listë regjistrimesh për shfletuesin i cili ende nuk është i disponueshëm.
Ende nuk dihet se kur shfletuesi do të debutojë e as sesi do të ngjajë, por të paktën kemi një emër: Comet.
“Njëlloj siç Perplexity ri-shpiku kërkimin online, të njëjtën gjë kemi vendosur të bëjmë me shfletuesin,” tha një përfaqësues i kompanisë.
Shfletuesi i Perplexity do të hyjë në një treg të mbipopulluar. Krahas liderit Chrome, ekzistojnë alternativa të tjera pafund nga palë të treta. Shumica e tyre ofrojnë veçori AI.
Mbase Perplexity beson se mund të shfrytëzojë bazën e përdoruesve të motorit të kërkimit për të rritur popullaritetin e shfletuesit të saj Comet. Portofoli i produkteve të Perplexity po zgjerohet dita ditës.
Kompania lançoi produktin “Deep Research” për të konkurruar me OpenAI, Google dhe xAI. Në Janar pati dy debutime të mëdha: asistentin AI për Android dhe një API për Kërkimin AI.
Themeluar në 2022, Perplexity ka siguruar 500 milionë dollarë kapital dhe sot vlerësohet me 9 miliardë dollarë. Motori i saj i kërkimit fuqizuar nga AI përpunon 100 milionë kërkime çdo javë. /PCWorld Albanian