Korabi e mbyll fazën e dytë me fitore dhe i largohet “play out”-it, Kastrioti vendos për pasuesin e trajnerit Nica


Me fitoren 2-1 të arritur të shtunën ndaj Kastriotit në stadiumin e Peshkopisë, Korabi mbylli fazën e dytë jashtë zonës së rrezikut, duke u pozicionuar në vendin e nëntë. Skuadrat zbritën në fushë me mungesa të shumta, kryesisht te krutanët, që edhe në këtë takim u drejtuan nga zv.trajneri Shkëlzen Rustami.

korabi fest ndaj kastriotit

Gjithsesi, ky moment tranzicioni në pankinën krutane ka marrë fund dje. Drejtuesit e Kastriotit kanë gjetur akordin që skuadra të drejtohet në vijim nga trajneri Klevis Hima, i cili nga sot nis punën me krutanët. Ndeshja përmbyllëse e fazës së dytë u ndoq nga rreth 500 të pranishëm në shkallët e stadiumit. Takimi  nis mirë për Korabin, që pas dy humbjeve radhazi, ndaj krutanëve e kishin fitoren si alternativë të vetme. Fillimi është premtues për skuadrën e Canajt, që në minutën e dytë e shohin veten në avantazh me anë të Trenit, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Më pas janë krutanët që kanë një mundësi për të shënuar, por gjuajtja e Musajt pritet nga portieri Marku.

Në të 13-ën, Tola i ndodhur në qendër të zonës, godet mjaft bukur, por reagon bukur portieri Jaupllari. Nuk vonon dhe Taulant Marku fiton një penallti, që në të 16-ën e finalizon nga pika e bardhë dhe 1-0. Pas shënimit të golit, vendësit janë më kërkues dhe në të 26-ën, shënojnë golin e dytë. Pjeshka kroson nga e majta dhe në qendër të zonës, Sina godet saktë me kokë dhe 2-0. Pjesa e parë u mbyll me një rast të pastër për vendasit. Fraksioni i dytë nisi me zëvendësime te Korabi. Në minutën e 51-të, krutanët befasojnë, me anë të Musajt, i cili përfiton nga një gabim i mbrojtjes dibrane dhe në hyrje të zonës gotët dhe shkurton shifrat në 2-1. Më pas loja nuk ka shumë histori, ndonëse ka tentativa të vendasve për të thelluar shifrat. Të dy ekipet e mbyllën fazën e dytë në gjashtëshen e poshtme, duke mos pasur kalendar favorizues në vijim. Korabi e nis në transfertën e Burrelit, ndërsa krutanët do të jenë mysafirë në Lushnjë.

Korabi – Kastrioti 2-1

GOLAT: Marku 16′( 11-m), Sina 26’/ Musaj 51′

Korabi: B.Marku, Kurti, Sina, Shani, Disha, Tola, Zeqiri (Çomo 46′), Pjeshka, Treni(Fida 46′), Muça (Ndreu 47′), T.Marku. (Në dispozicion: Qyrani, Hasaj, Paplekaj, Reçi, Sogani, Buci). Trajner: Agim Canaj

Kastrioti: Jaupllari, Qyra, Maxhalaku, Burgaj, Xhafa, Musaj(Valencia 64′), Pica, Murati (Hodo 84′), Goga, Bibaj, Meçja. Trajner: Shkëlzen Rustami

Kartonë të verdhë: B. Marku 45’/ Maxhallaku 72′

Gjyqtarë: O.Ferataj (Patos), O. Grabova (Fier), E. Malo ( Patos)

Delegat: Agim Mone ( Tiranë)

Vëzhgues: Gjergj Selala ( Laç)

Nderim GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link