Raporti i KLSH-së: Personat me çrregullime të shëndetit mendor në vendin tonë, të neglizhuar dhe në kushte skandaloze

Alarmi mbi shëndetin mendor dhe cilësinë e jetës është në rritje në mbarë botën, si një problematikë që prek, pa asnjë dallim, çdo shtresë të shoqërisë.

Sipas një raporti të BERZH, Shqipëria renditet në mesin e vendeve me nivele më të larta të problemeve të shëndetit mendor, duke zënë vendin e 18 nga 38 vendet në tranzicion. Sipas këtij studimi, femrat vuajnë më shumë se meshkujt nga shëndeti mendor në të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë, ku 40 % e burrave dhe 58 % e grave kanë përjetuar një shqetësim të lidhur me shëndetin mendor dhe më të shpeshta kanë qenë depresioni dhe ankthi. Nga anketa e kryer nga BERZH është evidentuar se të rinjtë dhe të moshuarit kanë prevalencë më të lartë të problemeve me shëndetin mendor, pasi 40% e tyre në rang global raportojnë shqetësime ose episode të ankthit mesatarisht një herë në javë.

Të gjithë personat e prekur nga sëmundjet e shëndetit mendor kanë të drejtën për kujdes shëndetësor të disponueshëm, të aksesueshëm, të pranueshëm dhe cilësor, mirëpo vendi ynë është ende larg garantimit të këtyre standardeve.

Raporti “Politikat dhe respektimi i të drejtave të personave me probleme të shëndetit mendor në shërbimin spitalor psikiatrik”, i kryer nga KLSH evidenton se, pacientëve me çrregullime të shëndetit mendor në Shqipëri ju shkelen të drejtat themelore për një trajtim dhe shërbim të denjë në spitalet psikiatrike.

Gjatë auditimit të kryer në institucionet shëndetësore që ofrojnë shërbim për këtë kategori pacientësh;spitali psikiatrik i Elbasanit; spitali psikiatrik i Vlorës; spitali psikiatrik pranë QSUNT; shërbimi shëndetësor i specializuar me shtretër në Shkodër,  IEVP Lezhë dhe Spitali i Burgut ka rezultuar se infrastruktura fizike e shërbimit shëndetësor të specializuar me shtretër në vendin tonë është e amortizuar dhe jashtë standardeve.

“Më konkretisht, në spitalin psikiatrik të Elbasanit, infrastruktura fizike paraqitej e amortizuar, e dëmtuar dhe me lagështirë të theksuar. Të gjithë pavijonet e spitalit ishin të mbyllur me çelës (dritare me hekura) dhe pacientët mbaheshin të mbyllur me përjashtim të momenteve kur u lejohej të lëviznin nga dhomat dhe të shkonin në oborrin e brendshëm të spitalit ku edhe kalonin momente socializimi në varësi të motit. Në shërbimin shëndetësor të specializuar me shtretër Shkodër, situata ishte pak më e mirë, megjithatë, edhe këtu dritaret dhe dyert janë me hekura. Infrastruktura fizike paraqitet po njësoj edhe në spitalin psikiatrik pranë QSUNT, ku ambientet janë tejet të amortizuar, pacientët mbahen të mbyllur me çelës në pavijone dhe tualetet e dushet janë shumë të këqija. Në veçanti një nga tualetet e katit të parë komunikonte me atë të katit të dytë pasi tavani/dyshemeja ishte i carë dhe për rrjedhojë ishte jashtë funksionit. Dhomat e pacientëve janë të amortizuara pa kushte, me arredim të vjetër dhe të prishur,” thuhet në raportin e KLSH-së.

Përveç ambienteve të papërshtatshme, mbipopullimi i dhomave dhe mungesa e kapaciteteve është një tjetër problematikë.

“Dhomat ishin të mbi populluara dhe me pak hapësirë për privatësi dhe qetësi mendore. Kjo situatë ka ndikuar negativisht në gjendjen e përgjithshme se, në këto kushte rritet agresiviteti i pacientëve të shtruar aty. Po kështu, mbipopullimi i dhomave me pacientë të diagnozave të ndryshme e bën më të vështirë rikuperimin e tyre gjatë trajtimit”, thotë KLSH.

Gjetja tjetër e KLSH është se synimi për dehospitalizimin e të sëmurëve mendorë nuk është përmbushur. Spitalet nuk kanë shërbyer si hapësira për rehabilitimin e riaftësimin e pacientëve, por për shkak edhe të braktisjes nga familja, janë shndërruar si rezidenca ku gati 60% e të shtruarve kanë më shumë se 10 vite qëndrimi.

“Në institucionet shëndetësore ku ofrohet shërbim shëndetësor i specializuar me shtretër rreth 60% e shtretërve shfrytëzohet aktualisht nga pacientë kronikë rezidentë, të cilët prej vitesh jetojnë e trajtohen si pacientë të trajtimit të vullnetshëm pranë këtyre strukturave. Kjo dukuri është me e theksuar në spitalin psikiatrik të Elbasanit dhe të Vlorës ku respektivisht ka rreth 270 pacientë kronikë rezidentë49 dhe rreth 89 pacientë kronikë rezidentë50 . Pacientët rezidentë kronikë të Elbasanit dhe Vlorës përbëjnë rreth 96% të kësaj kategorie dhe strehohen nga këto struktura në mungesë të një sistemimi alternativ për ta. Më konkretisht ka rezultuar se: rreth 50% pacientëve kronikë rezidentë kanë nevojë për mbështetje të plotë për të funksionuar të pavarur; 37.5% e pacientëve kronikë rezidentë janë të braktisur nga familja e në disa raste u është hequr zotësia për të vepruar; 58.6% e pacientëve kronikë rezidentë kanë më shumë se 10 vite qëndrimi në shërbimin spitalor; 19% e pacientëve kronikë rezidentë janë të klasifikuar me prapambetje mendore të shkallëve të ndryshme”, thuhet në raport.

Spitalet publike psikiatrike në Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Shkodër vuajnë edhe për mungesë stafi që përkeqëson shërbimin ndaj të sëmurëve mendorë, pasi raporti staf mjekësor dhe pacientë është goxha i thellë.

“Sipas modelit italian, një mjek psikiatër duhet të kujdeset vetëm për rreth 10 – 15 pacientë; një infermier për 4 – 6 pacientë në repartet akute dhe për 6 – 8 pacientë në repartet e rehabilitimit ose kujdesit afatgjatë; një psikolog për 20 – 30 pacientë. Ndërkohë që në Shqipëri këto shifra janë pothuajse të pamundura. Në dy spitalet më të populluara në vendin tonë, atë të Elbasanit dhe Vlorës, vërehet se raporti nr. pacientësh/staf është respektivisht: 62 pacientë/me 1 mjek, 25 pacientë/për 1 infermier, 62 pacientë/psikolog dhe 103 pacientë/punonjës social në Elbasan; 40 pacientë/me 1 mjek, 15 pacientë/me 1 infermier, 66 pacientë/psikolog dhe 33 pacientë/punonjës social në Vlorë”, citon KLSH.

Mungesa e strategjisë kombëtare dhe të një programi të veçantë investimesh për sistemin shëndetësor të sëmundjeve mendore, shërbimin spitalor dhe rehabilitimin post spitalor, ka reflektuar dhe mungesën e vlerësimit të duhur për këtë sistem shëndetësor, ku investimet për këto institucione spitalore janë minimale, ndërkohë që gjendja vështirësohet nga viti në vit.

“Për vitin 2023 pesha që ka zënë trajtimi i të sëmurëve të shëndetit mendor në spitalet psikiatrike është 2,5% të buxhetit të përdorur në spitalet e vendit, kjo ka sjellë dhe mos plotësimin e plotë të nevojave që kanë këta të sëmurë me probleme të shëndetit mendor”, thuhet më tej.

Gjatë këtij auditimi ka rezultuar se në vendin tonë ende nuk është ngritur infrastruktura institucionale e nevojshme për të konkretizuar sistemin e integruar të shërbimeve të shëndetit mendor me synimin final de – hospitalizimin dhe de -institucionalizimin e tyre. Mëkonkretisht: nga 25 Qendra Komunitare të Shëndetit Mendor që duhet të ishin ngritur për të ndjekur ambulatorisht pacientët me çrregullime të shëndetit mendor, janë ngritur vetëm 10; nga 22 shtëpi të mbështetura janë ngritur vetëm 14.

BURIMI I LAJMIT

#Raporti #KLSHsë #Personat #çrregullime #të #shëndetit #mendor #në #vendin #tonë #të #neglizhuar #dhe #në #kushte #skandaloze
#Raporti #KLSHsë #Personat #çrregullime #të #shëndetit #mendor #në #vendin #tonë #të #neglizhuar #dhe #në #kushte #skandaloze