
Takimi Valbona-Lushnja dhuroi një festival golash, ku sërish tropojanët zhgënjejnë në shtëpi, ndonëse arritën që të kalon në avantazh të dyfishtë. Lushnjarët arritën ta përmbysin Valbonën me katër gola dhe e mbyllën fazën e dytë në vendin e gjashtë, duke qenë brenda pritshmërive. Tropojanët me këtë humbje i shtojnë edhe më shumë pikëpyetjet për mbijetesën në Kategorinë e Parë.
NDESHJA- Lushnja që në start rrezikon me anë të Kamisokos, pret portieri Hoxha. Kundërpërgjigjet Valbona me Llanajn dhe Alukun, por Alimuçaj bën detyrën. Në të 37-ën, Xherrison depërton bukur brenda zonës e aty shtrihet duke pretenduar për një 11-metërsh, por kryesori Çokaj vijon lojën. Në të 39-ën zhbllokohet rezultati. Aluku shërben për Llanajn, i cili brenda zonës e dërgon topin në rrjetë dhe 1-0 për Valbonën. Pas 5 minutash tropojanët dyfishojnë, ku Krasniqi me kokë finalizon topin e dhënë nga Zeqiraj. 2-0 për Valbonën. Në minutën e parë shtesë Lushnja ngushton shifrat me golin e Ullurit dhe në shifrat 2-1 u mbyll pjesa e parë. Në fraksionin e dytë, gjithçka ka folur për të besuarit e trajnerit Erion Xhafa, që arritën të shënojnë tre gola.
Përmbysja e madhe e lushnjarëve nisi në minutën e 62-të, ku barazojnë shifrat me anë të Albi Xhabrahimit, i cili brenda zonës godet duke mposhtur portierin Hoxha. Katër minuta më vonë lushnjarët kalojnë në avantazh me Ololën, gjuajtja e të cilit gjen krahun e majtë të portierit Hoxha dhe 3-2 për lushnjarët. Në kohën shtesë ka vend edhe për një gol të katërt për Lushnjën, ku kapiteni Canka vulosi shifrat në 4-2 për miqtë nga Lushnja. Në fazën e parë, tropojanët fituar në “Roza Haxhiu” në shifrat 1-0, ndërsa të shtunën lushnjarët i kthyen reston Valbonës duke e mposhtur në shifrat 4-2. Lushnja e nis fazën e tretë në shtëpi, ku në javën e 23-të pret Kastriotin, një rival direkt për zonën “play off”. Ndërsa Valbona fazën e tretë e nis në transfertën e Vlorës.
Valbona – Lushnja 2-4
Golat: Llanaj 39’, Krasniqi 44’ / Ulluri 45+1’, Xhabrahimi 62’, Olola 66’, Canka 90+5’
Valbona: Hoxha, Rosaj, Artur (Farruku 65’), Mashi, Lamçe, Zeqiraj, Mateli (Kamilo 66’), Aluku, Llanaj (Taka 78’), Krasniqi, Usli (Lala 48’). (Në dispozicion: Domit, Doçi, Vidrica). Trajner: Emiljano Gega
Lushnja: Alimuçaj, Deliaj (Magani 59’), Korreshi (Xhemalaj 86’), Hida, Meta, Xherrison (Olola 47’), Hyseni (Uilfried 70’), Ulluri, Kamisoko, Canka, Preknicaj (Xhabrahimi 45+1’). Në dispozicion: Haremi, Tabaku, Januzi, Hysa). Trajner: Erion Xhafa.
Kartonë të verdhë: Farruku 75’ / Uilfried 78’
Gjyqtarë: G. Çokaj, D. Përndrecaj (Lezhë), S. Hysejni (Shkodër)
Delegat: Brikeno Pjetrushaj (Lezhë)
Vëzhgues: Pajtim Lapi (Shkodra)
Zv.trajneri Qelia
“Skuadra ra fizikisht në pjesën e dytë”
Ndeshjet në shtëpi janë kthyer në “makth” për Valbonën. Pas humbjes me Lushnjën, zv.trajneri Osman Qelia, për “Panorama Sport” tha: “Ishte një ndeshje e bukur, ku skuadra jonë kaloi me 2 gola në epërsi, por u harxhua shumë energji. Në pjesën e dytë skuadra ra fizikisht dhe mbrojtja u kris me disa gabime që na kushtuan 4 gola. Një humbje e pamerituar, pasi Valbona e pati në duar fitoren, ose të paktën s`duhej të dilnim pa pikë nga kjo sfidë. Gjërat për Valbonën po vështirësohen dhe në fazën e tretë duhet të ecet me llogari. Gjithsesi, nuk dorëzohemi deri sa matematika na e lejon. Kemi edhe 11 ndeshje, por kalendari nuk është favorizues pasi e nisim me dy kryesueset”.
Lushnja
Xhafa: I gëzohem vetëm trepikëshit
Erion Xhafa, trajner i Lushnjës, pas fitoren me përmbysje në Tropojë, për “Panorama Sport” u shpreh: “Ishte një fitore e vështirë, pasi një pjese të parë shumë të dobët. Kjo na bëri shumë të pakënaqur nga loja e ekipit, por edhe nga mënyra se si lojtarët tanë u sollën në fushë. Duhet të ishin më të qartë, gjë të cilën e treguam në fraksionin e dytë. Kemi 24 futbollistë të gatshëm dhe zëvendësimet e kryera dhanë dhe efektin e fitores, sepse kur përgatisim ndeshjen i mendojmë të gjitha. Me këtë rast, dua t’i falënderoj djemtë që hynë në lojë dhe kontribuuan për këtë trepikësh sa të vështirë, por edhe shumë të vlefshëm. Gjithsesi, ishte një fitore e merituar, paçka se jam i pakënaqur nga loja e zhvilluar. I gëzohem vetëm trepikëshit”.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
