
Pas dy vjetësh është rikthyer qarkullimi i trenit Shkup-Kumanovë dhe anasjelltas për dy herë në ditë. Planifikohen të jenë sërish aktive edhe linjat në drejtim të Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Shtip dhe Koçanë. Paralajmërohet edhe udhëtim me tren deri në Beograd
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 6 shkurt – Pas dy vjetësh është rikthyer qarkullimi i trenit Shkup-Kumanovë dhe anasjelltas për dy herë në ditë. Planifikohen të jenë sërish aktive edhe linjat në drejtim të Tetovës, Gostivarit , Kërçovës, Shtip dhe Koçanë. Deri vonë trenat kanë qarkulluar vetëm deri në Manastir, Veles dhe Gjevgjeli. Paralajmërohet edhe udhëtim me tren deri në Beograd. Ekspertët vlerësojnë se hekurudhat në 30 vitet e fundit vetëm se janë “mbajtur gjallë”, dhe e gjithë kjo është për shkak të financimit të pamjaftueshëm të mirëmbajtjes dhe modernizimit të infrastrukturës hekurudhore. Bile është favorizuar transporti rrugor karshi atij të hekurudhor.
Nga ekzekutivi kanë paralajmëruar se hekurudha e shpejtë në Korridorin 10 do të jetë gati në vitin 2027. Rindërtimi i pjesës së Maqedonisë të hekurudhës prej Tabanoce deri në Gjevgjeli do të kushtojë jo më shumë se 2 deri në 2.5 milionë për kilometër, sipas vlerësimeve të deritanishme. Nëpër binarët e saj trenat do të lëvizin me shpejtësi 110 deri në 120 km/h.
Nga ana tjetër, numri një i ndërmarrjes shtetetërore të hekurudhave-transporti Dejan Koshutiq paralajmëroi kthimin e linjës Shkup- Beograd në vitin 2025. Ai mendon se nuk duhet pritur ndërtimi i të ashtuquajturës hekurudhë të shpejtë, por linja Shkup-Beograd duhet të fillojë me riparimin e hekurudhës ekzistuese. Kjo nuk mund të bëhet menjëherë , por fillimisht me lëshimin e linjës Shkup-Nish. Për më tepër, shton se edhe vendi duhet të hapërojë me agjendën evropiane të hekurudhës në aspektin e infrastrukturës, korridoreve… dhe më në fund të kthejë hekurudhat si dhe besimin e qytetarëve të udhëtojnë me tren.
Ekspertët thonë se vlera e parashikuar do të ishte rreth 250 milionë euro dhe do të bëhet rikonstruksioni i plotë i segmentit Tabanoc-Gevgjeli me 100 milionë euro nga IPA apo fondet evropiane dhe 150 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Rikonstruksioni nënkupton ndryshimin e plotë të hekurudhës, rikonstruksionin e shtatë urave, si dhe elektrifikim e përhershëm dhe vendosjen e një sistem ITS, apo për sigurinë më të madhe të transportit. Trase ekzistuese në korridorin 10 është ende në funksion me shpejtësi maksimale treni 100 km/h, por për shkak të konfigurimit të terrenit ku shtrihet, karakteristikat gjeometrike (në disa vende rrezet e kthesave janë deri në 250 m ), gjendja e pjesës së sipërme dhe të poshtme të disa seksioneve, shpejtësia e lëvizjes së trenave është e kufizuar në 50 km/h. Një pjesë është e rindërtuar, ndërsa pjesa tjetër pret punimet. (koha.mk)