Prezantoher vendimmarrja mbi politikën monetare, Guvernatori Sejko: Ekonomia shqiptare pritet të rritet


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko prezantoi vendimmarrjen mbi politikën monetare, duke thënë se ekonomia shqiptare pritet të rritet.

Ai tha se Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.

Sejko u shpreh se Këshilli Mbikëqyrës i BSH vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.75%, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës një ditore në nivelin 1.75% dhe gjithashtu të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë një ditore në nivelin 3.75%.

“Informacioni i marrë në analizë sugjeron se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive gjatë vitit që lamë pas. Aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat, u zgjeruan me ritme të qëndrueshme, inflacioni erdhi në rënie dhe mbeti në nivele të ulëta, ndërsa treguesit e stabilitetit ekonomik dhe financiar shënuan përmirësim. Kjo ecuri u pasqyrua në rritjen e të ardhurave dhe konsumit të familjeve shqiptare, në ruajtjen e fuqisë blerëse së të ardhurave dhe kursimeve të tyre, si dhe në zgjerimin e investimeve të bizneseve dhe në ruajtjen e shëndetit financiar të bilanceve të tyre.

Politika jonë monetare ka pasur një kontribut të rëndësishëm pozitiv në këto zhvillime. Qasja e kujdesshme dhe proaktive ndaj sfidave të vazhdueshme me të cilat jemi përballur, ka mundësuar kontrollin e inflacionit pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike dhe stabilitetin financiar të saj. Gjithashtu, ajo ka garantuar një mjedis financiar të qëndrueshëm dhe një zgjerim të shpejtë të kredisë, duke krijuar bazat për një rritje të shëndetshme të ekonomisë në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Perspektiva e zhvillimeve ekonomike në të ardhmen mbetet pozitive. Ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme në afatin e mesëm, ndërkohë që inflacioni do të kthehet në objektivin tonë prej 3% gjatë vitit 2025.

Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është ende i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë“, tha Sejko.

Sot, më 5 shkurt 2025, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë.

Informacioni i marrë në analizë sugjeron se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive gjatë vitit që lamë pas. Aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat, u zgjeruan me ritme të qëndrueshme, inflacioni erdhi në rënie dhe mbeti në nivele të ulëta, ndërsa treguesit e stabilitetit ekonomik dhe financiar shënuan përmirësim. Kjo ecuri u pasqyrua në rritjen e të ardhurave dhe konsumit të familjeve shqiptare, në ruajtjen e fuqisë blerëse së të ardhurave dhe kursimeve të tyre, si dhe në zgjerimin e investimeve të bizneseve dhe në ruajtjen e shëndetit financiar të bilanceve të tyre.

Politika jonë monetare ka pasur një kontribut të rëndësishëm pozitiv në këto zhvillime. Qasja e kujdesshme dhe proaktive ndaj sfidave të vazhdueshme me të cilat jemi përballur, ka mundësuar kontrollin e inflacionit pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike dhe stabilitetin financiar të saj. Gjithashtu, ajo ka garantuar një mjedis financiar të qëndrueshëm dhe një zgjerim të shpejtë të kredisë, duke krijuar bazat për një rritje të shëndetshme të ekonomisë në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Perspektiva e zhvillimeve ekonomike në të ardhmen mbetet pozitive. Ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme në afatin e mesëm, ndërkohë që inflacioni do të kthehet në objektivin tonë prej 3% gjatë vitit 2025.

Në këtë kuadër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është ende i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.

[ Në vijim, do të sqaroj më në detaje vendimin e sotëm dhe arsyet që e motivuan. ]

***

Inflacioni i çmimeve të konsumit qëndroi i pandryshuar, në nivelin 2.0%, në tremujorin e katërt të vitit 2024. Ashtu si dhe në tremujorët e mëparshëm, luhatjet e tij gjatë muajve të fundit janë diktuar kryesisht nga ecuria në kah të kundërt e çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregjet ndërkombëtare. Në veçanti, rritja e këtyre çmimeve gjatë dy muajve të fundit u pasqyrua në një rritje të lehtë të inflacionit.

Për vitin 2024, inflacioni rezultoi 2.2% nga 4.8% një vit më parë. Rënia e tij ishte relativisht me bazë të gjerë, por më e theksuar tek çmimet e ushqimeve, të cilat ndoqën një trend rënës për pjesën më të madhe të vitit në pasqyrim të zhvillimeve të ngjashme në tregjet ndërkombëtare.

Në këndvështrimin makroekonomik, rënia e inflacionit gjatë vitit 2024 ka pasqyruar uljen e inflacionit në partnerët tregtarë, forcimin e kursit të këmbimit të Lekut, si dhe efektet e politikës sonë monetare. Kjo e fundit ka kontribuar në një ekuilibrim më të mirë të kërkesës dhe ofertës në ekonomi, në kontrollin e primeve të rrezikut, si dhe në stabilizimin e tregjeve monetare e financiare. Si rezultat, presionet nga ekonomia e brendshme janë reduktuar, duke iu afruar niveleve të përshtatshme për arritjen e objektivit të inflacionit në afatin e mesëm.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 4.1% gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik pasqyroi zgjerimin e konsumit dhe të investimeve, si dhe rritjen e eksporteve të turizmit, ndërkohë që eksporti i mallrave shënoi rënie dhe politika fiskale vijoi të ndjekë një kurs konsolidimi. Ky profil kërkese u pasqyrua në rritjen e aktivitetit në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë shënuan rënie. Të dhënat e disponuara sugjerojnë një ecuri dhe një profil të ngjashëm edhe në tremujorin e katërt.

Rritja e ekonomisë është shoqëruar me rritje të punësimit, të pagave dhe të vëllimit të shitjeve të biznesit, duke gjeneruar më shumë të ardhura për bizneset e familjet shqiptare. Në të njëjtën kohë, nivelet e ulëta të inflacionit kanë rritur fuqinë blerëse të këtyre të ardhurave dhe kanë incentivuar investimet e sektorit privat.

Krahas këtyre faktorëve, zgjerimi i aktivitetit është mbështetur edhe nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi i konsumatorit dhe biznesit për të ardhmen, si dhe nga ambienti stimulues financiar.

Ambienti financiar ka pasqyruar politikën e kujdesshme monetare dhe primet e ulëta të rrezikut. Lehtësimi monetar i ndërmarrë gjatë vitit të shkuar është shoqëruar me rënien e normave të interesit në të gjitha segmentet e tregut. Në veçanti, normat e interesit të kredisë kanë përfituar edhe nga primet e ulëta të rrezikut dhe nga një përqasje pozitive e bankave ndaj kreditimit të familjeve dhe bizneseve. Gjithashtu, kursi i këmbimit ka njohur një mbiçmim më të ngadaltë gjatë muajve të fundit, duke përmirësuar më tej kushtet e financimit.

Mjedisi financiar i favorshëm dhe kërkesa e lartë kanë mbështetur rritjen e shpejtë të kredisë gjatë vitit 2024. Kredia e dhënë për sektorin privat u rrit me 15.8% në tremujorin e katërt, duke e çuar mesataren vjetore të rritjes së kredisë në 14.4%. Zgjerimi i kredisë vijon të ketë një bazë të gjerë, duke mbuluar nevojat e bizneseve dhe të familjeve, si për investime ashtu edhe për konsum e kapital qarkullues. Në të njëjtën kohë, portofoli i kredisë vijon të ketë një cilësi të mirë – sikundër dëshmohet nga nivelet e ulëta të treguesit të kredisë me probleme – dhe një strukturë valutore të orientuar drejt lekut.

Perspektiva ekonomike mbetet pozitive. Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit. Paralelisht me të, edhe punësimi e pagat pritet të vijnë në rritje, duke rritur mirëqenien e familjeve. Rritja e ekonomisë pritet të mbetet e qëndrueshme dhe pranë potencialit, çka do të mundësojë një nivel presionesh të brendshme inflacioniste në linjë me objektivin.

Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin 3% gjatë vitit 2025. Kjo ecuri do të ndihmohet nga stabilizimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nga një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit. Nga ana tjetër, presionet e brendshme priten të mbeten të qëndrueshme, si pasojë e rritjes së shëndetshme të ekonomisë dhe pritjeve të ankoruara për inflacionin. Një faktor që do të ndikojë në uljen e inflacionit gjatë vitit 2025 pritet të jetë ulja e çmimit të energjisë elektrike për familjet me konsum deri në 700 kWh.

Balanca e rreziqeve për të ardhmen paraqitet neutrale për momentin. Megjithatë, pasiguritë rreth parashikimeve ekonomike janë rritur, kryesisht për shkak të zhvillimeve në ambientin e huaj. Vazhdimi i tensioneve gjeopolitike dhe pasiguria në lidhje me politikat tregtare dhe ekonomike, mund të ketë implikime të rëndësishme për ekonominë globale në përgjithësi dhe atë evropiane në veçanti.

***

Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

  • të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%;
  • të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në të ardhmen.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.



Source link