
Ndonëse fitorja përballë Korabit u arrit me shifra minimale, ajo që ka rëndësi për skuadrën liqenore është se janë shumë pranë objektivit, pozicionimin në gjashtëshen e parë. Bashkë me rezultatet pozitive, skuadra e drejtuar nga trajneri Ardian Mema po fiton dhe zemrat e sportdashësve.
Në ndeshjen ndaj dibranëve, në krahasim me pjesëmarrjen në stadiumet e tjera të vendit, tifozët ishin të pranishëm dhe në një nivel të kënaqshme. Suksesi i këtij takimi u vulos nga goli i kapitenit Vangjel Zguro, që u shënua me penallti. “Na gëzon trepikëshi i marrë, por rëndësi ka që skuadra po ruan ritmin e duhur. Pas fitores në Tropojë, kjo me Korabin në fushën tonë, konfirmon se Pogradeci po kalon momente të mira”, u shpreh për “Panorama Sport”, mbrojtësi me eksperiencë, Vangjel Zguro. Në analizën që i bën ndeshjes, kapiteni pohon se me lojën e zhvilluar, skuadra meritonte një fitore më të thellë. “Me lojën që zhvilluam, duhet të kishte fituar më thellë. Rastet e krijuara nuk u shfrytëzuan sa duhet nga ana jonë. Gjithsesi, ajo që ka rëndësi është marrja e pikëve të plota, që na mban në lojë për arritjen e objektivit, pozicionimi në gjashtëshen e parë të renditjes”, vijon Zguro.
Goli i parë i shënuar pas rikthimit me skuadrën e vendlindjes, ia shton edhe më shumë adrenalinën për një paraqitje dinjitoze në vazhdimësi. “Goli i shënuar më kënaq dhe dedikimi shkon si zakonisht për familjen dhe tifozët pogradecar, të cilët me numrin e tyre të shumtë në shkallët e stadiumit u bënë burim frymëzimi për të gjithë ne. Sportdashësit janë bukuria e çdo ndeshje. Një tifozëri si kjo e vendlindjes sime, kishte kohë që më kishte munguar”, tha kapiteni. Në fund, ai shton se Pogradeci do ta thotë mirë fjalën e vet dhe në vazhdim e do të jetë një “kockë e fortë” për çdo kundërshtar. “Jam shumë optimist se do ta ruajmë këtë ritëm. Ndeshjet duhet t’i marrim një e nga një, pasi kampionati në vazhdim parashikohet të jetë i fortë. Me besim te vetja, çdo gjë është arritshme”, përfundoi mbrojtësi Vangjel Zguro.
Mbrojtësi
Kastrati, lë liqenorët për Vllaznimin
Pas një eksperience të shkurtër me Pogradecin, mbrojtësi Endrit Kastrati është kthyer në Kosovë, ku është bërë pjesë e Vllaznimit të Gjakovës. Një këtë kalim e bën të ditur vetë mbrojtësi për “Panorama Sport”, i cili mes të tjerash deklaroi: “Kam arritur akordin dhe në vazhdim do të jem pjesë e skuadrës së Vllaznimit”. 27-vjecari nga Drenasi kontribuoi për Burrelin në dy edicione, 2022-2024. Në merkaton e verës u bashkua me Pogradecin, ku luajti rreth 1100 minuta. Në radhët e liqenorëve ka patur një paraqitje konstante. Te Vllaznimi Kastrati gjen Mirel Josa, ku synimi i drejtuesve është ngjitja e skuadrës në elitën e futbollit kosovar
Nderim GOCI- PANORAMASPORT.AL
