Mjaft me gabime në shtëpi


Lëvizje e papritur te Besa. Një motiv familjar ka bërë që sulmuesi Rubenilson Dos Santos Da Rosha (Kanu), të largohet drejt Brazilit. Burime brenda klubit saktësojnë se, menjëherë pas mbarimit të takimit në Vorë, ai ka kërkuar leje nga drejtuesit që të largohet drejt Brazilit.

Screenshot 2025-01-29 094315

Kujtojmë se Kanu ka qenë titullar te Besa, ku shënuar 5 gola me fanellën verdhezi. Nuk pritet që Besa të penalizohet prej këtij largimi të papritur, pasi në janar u afruan sulmuesit Bedri Greca dhe Patrik Nonato, që mori pak minuta në barazimin 1-1 ndaj Vorës.

GRECA- Duket disi paradoksale, por faktet kokëforta tregojnë një Besë shumë të fortë dhe të pathyeshme jashtë fushës së saj, si dhe me plot gabime në shtëpi. Mjafton të sjellim në kujtesë se ndaj Vorës e Flamurtarit, kavajasit kanë barazuar 3 herë e po ashtu ndaj Burrelit kanë marrë 4 pikë. Diferenca mes saj dhe rivalëve është bërë pikërisht në takimet në shtëpi, ku përshembull Vora e ka realizuar planin 100% në shtëpi, si dhe Flamurtari thuajse po ashtu.

Këtu e sheh arsyen e diferencës me rivalët edhe Bedri Greca. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, fillimisht sulmuesi u ndal te barazimi në Vorë, ku sipas tij Besës iu mohua fitorja me penalltinë e mohuar në fund.

“Më vjen keq vërtet, që na u mohua fitorja në Vorë. Vendasit, vetëm 1 herë goditën portën tonë dhe na shënuan, ndërkohë që ne dominuam në çdo drejtim. Asnjëherë Ruzgis nuk e pa portën e Besës, përkundër disa goditjeve të Mazrekajt, Spahiut, Mëllugjës apo Stafës. Vetëm në Shqipëri nuk jepet ai 11-metërsh që na u mohua. Lojtari ynë doli i gjakosur në kofshë nga ndërhyrja brutale ndaj tij, por vetëm për gjyqtarin nuk ishte penallti”, tha Greca.

E ndërsa Besa kërkonte fitore në Vorë, është disi tragjikomike që lejoi Erzenin t’i merrte 3 pikët brenda në shtëpi. Nuk është vetëm Erzeni, por edhe Apolonia, Pogradeci e Burreli që e kanë penalizuar Besën në shtëpi.

“Nëse shihni sot diferencën me Vorën, 8 pikë, apo Flamurtarin 6 të tilla, janë sa 50% e pikëve që ne kemi lënë në shtëpi. E pafalshme, realisht kjo bën diferencën në pikë. Siç e thashë më lart, dy herë Vora dhe Flamurtarin që për më tepër e eliminuam në Kupë, nuk kanë arritur jo të na mundin, por i kemi dominuar. Me të drejtë, zv.trajneri Kuli na tërhoqi vëmendjen se duhet të jemi më agresiv në shtëpi, pasi gabimet kanë kaluar çdo limit. Të gjitha këto nuk na demoralizojnë, pasi ndeshje ka plot dhe gjendja e grupit është mjaft e mirë. Ajo çfarë kërkohet nga ne, është që duke nisur nga kjo javë me Kukësin të mos “guxojmë” më të gabojmë. Javë pas jave duhet të dalim të fituar, pavarësisht emrit të kundërshtarëve. Mundësitë i kemi, por duke sakrifikuar më shumë në fushë, si dhe eliminuar gabimet tona”, përfundoi Bedri Greca.

Screenshot 2025-01-29 094947

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link