
Liga Gjergj Kastrioti, kompeticioni i përbashkët në volejboll me ekipe nga Shqipëria dhe Kosova, do të mbyllë këtë mesjave ndeshjet e fazës së grupeve. Në radhët e femrave, dita e gjashtë në Grupin A, do nisë nesër me sfidën Skënderbeu-Tirana, në orën 17:00 në Korçë.
Ekipi korçar e ka siguruar kualifikimin, ndërsa kërkon të hipotekojë vendin e parë, ndërsa vajzat bardheblu janë të eliminuara matematikisht. Nesër do të jetë edhe sfida tjetër ndërmjet Ferizajt dhe Skënderajt, në orën 19:00, përballje direkte për një vend në gjysmëfinale.
Në Grupin B, Teuta dhe Partizani do të përballen sot në orën 16:00 në Durrës, me të kuqet që janë ende në garë për t’u kualifikuar, ndërsa ndeshje tjetër do të jetë nesër në orën 19:00 mes ekipeve kosovare Fer Volej dhe Drita. Në radhët e meshkujve, dita e gjashtë e Grupit A, do të nisë sot me derbin Partizani-Tirana në orën 16:00 në “Asllan Rusi”. Të kuqtë e Ylli Tomorrit e kanë siguruar kualifikimin dhe vendin e parë, ndërsa bardheblutë shpresojnë ende për të kapur vendin e dytë.
Sfida tjetër do të jetë nesër në orën 19:00 mes ekipeve të Kosovës, Dritës dhe Skënderbeut. Në Grupin B, të dyja ndeshjet do të luhen nesër, fillimisht në orën 17:00, Studenti pret Skënderbeun në “Asllan Rusi”, ndërsa në orën 19:00, Ferizaj do të përballet me Pejën. Për sa i përket situatës në grup, Skënderbeu e ka siguruar kualifikimin, ndërsa Studenti, Ferizaj dhe Peja janë në garë për vendin e dytë. Ndërsa e pakuptimtë duket zgjedhja e organizatorëve për të mos i zhvilluar ndeshjet e fundit në orar të njëjtë.
PANORAMASPORT.AL
