
Apolonia i ka dhënë vlerësim maksimal Kupës, teksa trajneri Sedat Pajaziti bashkë me lojtarët, përgatitjet ia kanë dedikuar sfidës ndaj Partizanit, që luhet sot në orën 17:00 në stadiumin “Arena e Demave”.
Apolonia synon të shkojë sa më larg dhe këtë mendim ndan edhe një nga pikat e forta të Apolonisë, mesfushori Enea Topi. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, ai thekson se mentaliteti i skuadrës është që të fitojë çdo takim.
PËRGATITJET – “Pavarësisht se kemi pasur pak ditë kohë rikuperimi, vetëm 72 orë, ne e kemi përgatitur në mënyrën më të mirë ndeshjen e Kupës. Ky është kompeticioni i dytë për nga rëndësia, por angazhimi dhe vlerësimi ynë është maksimal. Kemi punuar për të qenë rezultativ, ndaj shpresojmë të marrim maksimumin. Në Kupë ne duam të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur. Mentaliteti i grupit është që të fitojmë çdo ndeshje. Në fund dua të theksoj se Kupën e shohim si një mundësi të mirë për të treguar forcën tonë reale, pikërisht të atij ekipi të fortë, që mund të përballojë pretendentët në elitë”, tha fillimisht ai.
RIVALI – “Luajmë me Partizanin, që ka një ekip të fortë dhe që duhet vlerësuar, por në futboll, brenda 90 apo 120 minutave, çdo gjë është e mundur nëse ke motivimin e duhur dhe nëse do të japësh maksimumin në fushë, prej minutës së parë. Jemi të vetëdijshëm për forcën e Partizanit, por nuk i trembemi. Edhe ne kemi cilësi dhe lojtarë me përvojë në skuadër, përmes të cilëve do të synojmë fitoren”.
SHANSET – “Kualifikimi është i mundshëm, sepse futbolli na ka treguar që të tria rezultatet janë të mundshme në një ndeshje. Ne respektojmë çdo kundërshtar dhe për të kaluar këtë tur apo për të fituar një ndeshje, cilido qoftë kundërshtari, duhet derdhur djersë dhe luftuar fort në çdo cep të fushës. Ne do t’ia bëjmë ‘hyzmetin’, pasi për ne Kupa është e rëndësishme sa kampionati. Do t’i vlerësojmë të dyja njësoj”, u shpreh Topi.
HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL
