Policia e Shtetit dhe Ambasada e Brazilit forcojnë bashkëpunimin kundër krimit ndërkombëtar


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi një takim kortezie me Ambasadorin e Republikës Federative të Brazilit, Sh.T.Z. João Tabajara De Oliveira Júnior, dhe Zëvendësambasadorin, z. Ricardo Primo Portugal, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Gjatë takimit, të dyja palët riafirmuan gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin mes organizatave që përfaqësojnë, në kuadër të koordinimit me INTERPOL dhe EUROPOL, për të luftuar rrjetet e trafiqeve dhe krimeve ndërkombëtare.

Në fokus të diskutimeve ishte bashkëpunimi i suksesshëm ndërmjet agjencive ligjzbatuese të të dyja vendeve, i cili ka sjellë goditjen e disa rasteve të trafikimit të vajzave dhe grave nga Brazili për qëllime prostitucioni në Shqipëri.

Gjithashtu, u theksua rëndësia e zgjerimit të këtij bashkëpunimi përtej punës policore, përfshirë organizimin e trajnimeve për hetimin e krimeve, shkëmbimin e eksperiencave më të mira policore dhe ofrimin e asistencës teknologjike.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt intensifikimit të përpjekjeve të përbashkëta kundër krimit ndërkombëtar.



Source link